Mickoski: Taravari ka dy opsione, me qeverinë që sjell reforma ose me ato që kriminalizuan shtetin
Mickoski: Taravari ka dy opsione, me qeverinë që sjell reforma ose me ato që kriminalizuan shtetin

Gazetare: Fatlume Dervishi
Taravari ka dy opsione, në qeveri për reforma dhe ndryshime ose me atë që për dy dekada kriminalizoi shtetin, tha kryeministri Hristijan Mickoski, sipas të cilit, nuk ekziston asnjë opsion i tretë. Mickoski do ta takojë sot kreun e ASH-së i cili kohë më parë u nda nga koalicioni VLEN. Mickoski thotë se ka mendim pozitiv për Taravarin por se lojëra pas shpine nuk toleron.
“Si person, kam mendim pozitiv për z. Taravari por në politikë fytyra është diçka që e ke ose që nuk e ke, nuk ka variante fluide. Ose e mban fjalën ose nuk e mban. Unë mendoj se në rastin e tij të paktën tre herë e kam dëshmuar dhe e kam mbajtur fjalën, edhe kur ka pasur momente kur kryesia e partisë ka pasur dilema. Prandaj lojërat pas krahëve janë lojëra që shihen, lehtë identifikohen dhe vërehen dhe shpesh këto lojëra pas krahëve u bien mbi kokë atyre që i bëjnë”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Taravari nuk pret diçka të veçantë nga takimi por se vetëm do të sqarojë disa gjëra të cilat kryeministri i ka të paqarta. Ai thotë se nuk ka marrëveshje me BDI-në, dhe se kur të ketë, nuk do të synojë të jetë më pjesë e qeverisë. Komentoi edhe qëndrimet e VLEN-it për pozitën e tij në ekzekutiv.
“Unë e shoh se VLEN-i sikur selvilosen dhe me çdo kusht duan të jenë në qeveri. Nëse është ky kushti neve s’na pengon aspak hiç, le të vazhdojnë, le të rrinë, por duken keq nga jashtë dhe lënë përshtypje shumë të keqe. Për ne nuk ka asnjëfarë problemi. Në qoftë se është ky kushti, me kënaqësi do ta pranojmë. Në momentin që do të vendosim ose kur kryesia e partisë të vendosë të shkojmë me BDI-në, as që kërkojmë ne (të jemi) në qeveri, as që duam të jemi pjesë e qeverisë. Por tash për tash kryesia qendrore ka vetëm një vendim që të dalim me listat tona të veçanta për këshilltarë komunal”, u shpreh Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Takimi do të mbahet në ora 17 në qeveri. /Alsat.mk