Mickoski thotë se në Uashington ka pasur takime shumë të rëndësishme të cilat në periudhën e ardhshme do të kenë rezultate të dukshme
Mickoski thotë se në Uashington ka pasur takime shumë të rëndësishme të cilat në periudhën e ardhshme do të kenë rezultate të dukshme

Gazetare: Fatlume Dervishi
Vizita dhe takimet në SHBA ishin të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët, kurse opozita me kritikat e saja bëri përpjekje për të defokusuar opinionin nga gjërat e rëndësishme, tha kryeministri Hristijan Mickoski në ditën e parë të kthimit në vend. Ai tha se rezultatet nga këto takime në periudhën e ardhshme do të jenë të dukshme, intensive dhe të mëdha. Mickoski tha se disa prej takimeve kanë qenë publike por ka pasur edhe takime që nuk janë bërë publike, të cilat do të kenë rezultate për disa muaj.
“Bëmë takime vërtetë historike dhe vizitë historike dhe mendoj, në fakt, jam i sigurt se si shtet Maqedonia hyri në optikën e njerëzve të cilët janë më të zëshëm në perimetrin e presidentit Tramp. Unë jam i bindur se pas këtij takimi Maqedonia është pjesë e optikës së administratës së re të Presidentit Tramp edhe në plan politik, edhe në plan gjeostrategjik por edhe në plan ekonomik”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Funksionarët e vendit që udhëtuan për në SHBA u gjendën në qendër të kritikave për shpenzimet, nivelin e takimeve dhe eventeve në të cilat morën pjesë.
E ndërkohë që delegacioni i drejtuar nga Mickoski ishte në SHBA, Bullgaria zgjodhi qeverinë e re. Kryeministri thotë se është i interesuar për takim me homologun e tij, për zgjidhjen e ngërçit në procesin integrues. Madje nuk e mohon që nismën për takim ta ndërmarrë ai vetë.
“Pse jo. Absolutisht do të ndërmerrja një hap të tillë. Absolutisht do të doja të takohemi dhe të bisedoj, të argumentoj. Nuk shoh asgjë të keqe në bisedime. Ai është kryeministër i ri, kolek i një vendi fqinj. Qëndrimet dhe pozitat tona i dini, ata nuk kanë ndryshuar. Të shohim nëse mundemi të kemi gjuhë të përbashkët. Të shohim a mundemi bashkë me partnerët tanë strategjik edhe nga BE-ja dhe nga SHBA-ja të ulemi bashkë dhe ta lehtësojmë këtë proces”, shtoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Kryeministri Mickoski përsëriti qëndrimin e dhënë edhe në SHBA se çështja maqedonase nuk është zgjidhur. Ai është i habitur nga reagimi i Greqisë pas kësaj deklaratë të tij. Greqia ditë më parë tha se çështja maqedonase është mbyllur dhe se Marrëveshja e Prespës duhet të respektohet.
Respektim të Marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e Shkupit ka kërkuar edhe Bullgaria. /Alsat.mk