Mickoski thotë se nuk frikësohet nga hetimi i kredisë hungareze
Gazetar: Suad Bajrami
Hapja e hetimit penal për keqpërdorime në bankën hungareze “Eksim”, ka përplasur faktorin politik në Maqedoni, pasi pikërisht nga kjo bankë Maqedonia mori kredi prej 1 miliard euro. Në kuadër të hetimit të përgjithshëm, do të shqyrtohet edhe kredia e cila u lëshua gjatë kohës derisa kryeministër i Hungarisë ishte miku i Hristijan Mickoskit, Viktor Orban. Kryetari i opozitares LSDM tha se dyshimet janë se paratë nga kredia hungareze, kanë origjinë nga Kina.
“Borxhi i cili tani është nën hetim. Borxhi për të cilin tërë Evropa dhe tërë bota e di se Qeveria në krye me Hristijan Mickoskin është nën hetim dhe dyshojnë në procese ilegale. Tani kur edhe partnerët tanë strategjik, SHBA e dinë qartë se në vendin tonë hyjnë dhe kanë hyrë në dy vitet e kaluara para kineze. Fillimisht nëpërmjet borxhit nga Hungaria dhe tani paralajmërim nëpërmjet ministrit për Vetëqeverisje Lokale për ndonjëfarë projekte në komuna”, tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
Hapjen e hetimit, kryeministri Mickoski e cilëson si punë të brendshme të autoriteteve hungareze, të cilat do të japin sqarimet e nevojshme. Megjithatë ai tha se gjithçka është bërë në mënyrë ligjore.
“Absolutisht nuk frikësohem, pasi që e gjithë ajo është pjesë e partneritetit strategjik e konfirmuar nga të dyja parlamentet, të dyja qeveritë. Mjetet janë shpenzuar në mënyrë transparente dhe e falënderoj Hungarinë si partner i ynë strategjik që në kohën kur kemi luftuar ta nxjerrim nga bankroti për shkak borxheve që i trashëguam nga qeveria bandite e LSDM-së dhe BDI-së, ata ishin të parët që na ndihmuan”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër .
Çështja e kredisë hungareze u rihap me rrëzimin e Orbanit nga pushteti pas 16 vitesh dhe ardhjen e kryeministrit të ri Peter Maxhar. Në korrik të këtij viti, Ministria e Ekonomisë së Hungarisë, ka dorëzuar në Polici katër lëndë, ndërsa njëra prej tyre ka të bëjë me kredinë e miratuar për Maqedoninë me kamatë prej 3,25% dhe me garanci të plotë shtetërore. /Alsat.mk.








