Micotakis paralajmëroi qeverinë e re për pasoja nëse nuk respekton marrëveshjen e Prespës

Micotakis paralajmëroi qeverinë e re për pasoja nëse nuk respekton marrëveshjen e Prespës

Gazetar: Lluka Andrev

Kryeministri grek Kiriakos Micotakis përsëriti se “rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut kalon përmes Greqisë”, dhe mund të mbyllet nëse Marrëveshja e Prespës nuk respektohet. Ai e tha këtë në një intervistë për gazetën Ta Nea, dhe ngriti temën e marrëveshjes disa herë gjatë tubimeve parazgjedhore. Micotakis tashmë ka urdhëruar autoritetet e reja në vend të mos e kontestojnë thelbin e marrëveshjes për emrin e vendit, sepse nëse e bëjnë këtë, ata do të bllokojnë integrimin evropian.

“Kur dikush tërheq litarin, duhet të jetë gati për t’a këputur. Dhe nëse devijon nga kursi i dakorduar, ai duhet ta dijë se do të hasë në një rrugë të mbyllur për në Evropë. Një rrugë që kalon nga Greqia dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare”, tha Kiriakos Micotakis – Kryeministër i Greqisë.

Reagimet nga Athina zyrtare erdhën pasi presidentja e re Gordana Siljanovska Davkova, nuk e përmendi emrin e ri kushtetues të vendit në ceremoninë e inaugurimit. Ajo shpjegoi se kjo ishte e drejta e saj personale për vetëvendosje, se ajo do ta quante vendin vetëm “Maqedoni” në paraqitjet e saj publike dhe se do ta respektonte Marrëveshjen e Prespës. Integrimi evropian i vendit ishte tema e takimit të Siljanovska-Davkova me Presidentin italian Serxho Matarella mbrëmë në Romë.

Siç njoftuan nga kabineti i saj, të dy folën për sfidat e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë, ku Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen italiane, për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian deri më tani, si dhe për qëndrimin pozitiv në tejkalimin e mosmarrëveshjeve ndërfqinjësore gjatë pranimit të anëtarëve të rinj në BE. Siljanovska-Davkova informoi se ajo i kishte kërkuar presidentit italian të jepte garanci për të ardhmen tonë politike evropiane, dhe ai u përgjigj se ishte i gatshëm të qëndronte pas Maqedonisë në gjetjen e zgjidhjeve me fqinjët e saj./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button