“Migrantët”, Filipçe paralajmëron protesta masive/ Mickoski mohon një marrëveshje të tillë

“Migrantët", Filipçe paralajmëron protesta masive/ Mickoski mohon një marrëveshje të tillë

Gazetar: Zekirija Haxhiu

LSDM vazhdon të ngritë alarmin se në Maqedoninë e Veriut do të sillen migrantë të cilët paraprakisht janë refuzuar nga Britania e Madhe. Kjo sipas tyre, është pjesë nga marrëveshja mes dy shteteve kur Britania i dha Maqedonisë kredi prej 6 miliard eurove ndërsa për çdo migrant thonë se Maqedonisë do ti paguhen nga njëzet mijë paund. Kreu i LSDM-së Venko Filipçe tha se kryeministri Mickoski po përgatitet për zgjedhje në pranverë ndërsa menjëherë më pas do të realizojë marrëveshjen. Për të mbrojtur shtetin ka hapur peticion për qytetarët ndërsa paralajmëroi rezolutë dhe protesta.

“Pas këtij peticioni do të dalim në Kuvend dhe do të kërkojmë të votohet rezolutë për të ndaluar këtë. Thërras deputetët e VMRO-DPMNE-së ta pranojnë rezolutën dhe kështu do të shmangen të gjitha dilemat se kush mendon kush gënjen e kush nuk gënjen. Nëse VMRO-DPMNE nuk e pranon këtë rezolutë do të jemi të detyruar më tej të luftojmë me të gjitha mjetet demokratike. Një prej tyre është të thërrasim të gjithë qytetarët në protestë mbarë popullore. Të gjithë bashkë duhet të bllokojmë procesin e sjelljes së migrantëve”, deklaroi Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së

Kryeministri Hristijan Mickoski vazhdon të mohojë një marrëveshje të tillë. Thotë se marrëveshja e kredisë me Britaninë është publike ndërsa lajmet nëpër mediat britaneze i quajti gënjeshtra.

“U lë hapësirë deri në pranverë Venko Filipçe, bashkë me Frçkovskin dhe me Zhernovskin të kërkojnë nëpër Maqedoni dhe të gjejnë së paku një migrant i cili është pjesë e kësaj marrëveshjeje me Britaninë e Madhe apo çfarë do marrëveshjeje. Nëse gjejnë unë përgjithmonë do ta braktisë politikën, në të kundërtën kërkoj publikisht të më kërkojnë falje mua dhe qytetarëve sepse po shkaktojnë panikë pa asnjë nevojë. Kjo vlen derisa jam unë kryeministër”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Mickoski theksoi se këto dezinformata që po i shpalos Filipçe kanë dëmtuar seriozisht marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve. Mediat britanike javën e kaluar shkruan se Britania e Madhe mund të deportojë në Maqedoni azilantët të cilëve u është refuzuar kërkesa me qëllim që të ulë migrimin ilegal me varka në Britani. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button