Mijallkov shpëtoi nga burgu në rastin “Titanik 2”?

Mijallkov shpëtoi nga burgu në rastin “Titanik 2”?

Gazetar: Ardit Ramadani

Si në shumë lëndë të tjera, ashtu edhe në “Titanik 2” ish-shefi i Policisë Sekrete Sasho Mijalkov do të shpëtojë pa as një ditë burg. Në seancën e parë publike për këtë rast në Gjykatën e Apelit, ai i buzëqeshur dëgjoi fjalët e gjykatësit Gjoko Ristov se seanca do të shtyhet për me 13 prill në ndërkohë që vepra e Mijalkov, vjetërsohet më 7 prill.

Ndër „heronjtë” për shtyrjen e kësaj seance kësaj radhe ishin katër të akuzuarit e tjerë në këtë lëndë, edhe atë Menduh Thaçi, Sasho Sërcev, Vllatko Sajkovski dhe Aneta Stefanova – të cilët, në pamundësi të shpëtojnë veten për shkak se ndiqen për kryerje të një vepre tjetër penale, në mënyrë indirekte, përkatësisht me mos-prezencë sot, ndikuan që vepra t’i vjetërsohet Mijallkovit.

Megjithatë mos-prezenca e tyre u justifikua nga ana e gjykatësi, Gjoko Ristov. Ai tha se ai nuk kishte dëshmi që do të vërtetonte se të akuzuarit e tjerë kanë pranuar ftesë të rregullt për këtë seancë publike.

Nga ana tjetër edhe pse një ditë më herët kishte kërkuar shtyrje të seancës publike për shkak se në të njëjtën ditë gjykohej për një lëndë tjetër, ish-shefi Policisë Sekrete Sasho Mijalkov ishte prezent në sallë sot, bashkë me të akuzuarin tjetër, Bedredin Ibraimin, i cili tha se edhe pse nuk kishte pranuar ftesë të rregullt, kishte dëgjuar se do të ketë seancë sot dhe ishte paraqitur në gjykatën e Apelit.

Në kohën kur po përballet me kritika të ashpra nga ShBA-të, sistemi gjyqësorë në vend u tregua i paaftë t’i jep epilog një lënde në të cilën dy prej të akuzuarve kryesorë, përkatësisht Sasho Mijalkov dhe Menduh Thaçi gjenden në listën e zezë amerikane, i pari për korrupsion ndërsa i dyti për shkak të arsyeve politike dhe të sigurisë.

Rikujtojmë që në procesin e përsëritur për këtë lëndë, të gjithë të akuzuarit në shkallë të parë u dënuan me nga dy vite burg. Ata u shpallën fajtorë pasi gjykata konstatoi se në vitin 2013 ishin marrë vesh për prishje të rezultatit zgjedhor në Strumicë, ku zgjedhjet i kishte fituar LSDM-ja dhe kandidati i tyre, Zoran Zaev.
Gjatë procesit gjyqësor, u dëgjuan edhe të ashtuquajturat “bomba” përmes së cilave u dëgjua se si Mijalkov dhe Thaçi ishin marrë vesh për mënyrën se si duhet të votojë ish- anëtari i KShZ-së, Bedredin Ibraimi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button