Mijëra bjellorusë dalin në protesta, megjithë paralajmërimin e ushtrisë


Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin bjellorus Minsk në një tubim kundër rizgjedhjes së debatueshme të Presidentit Aleksandër Lukashenko dhe represionit paszgjedhor. Në kryeqytet ka një prani të madhe të ushtrisë, e cila paralajmëroi sërish.

Në kuadrin e Marshimit për Bjellorusinë e Re, turmat përshkuan rrugët drejt qendrës së qytetit, ndërsa protestat hynë në ditën e 15-të në këtë vend të Evropës Lindore me një popullsi prej 9.5 milionë banorësh.

Protestuesit bënin thirrje për dorëheqjen e zotit Lukashenko, dhe dëgjoheshin të thërrisnin “liri”.

Përpara tubimit, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ushtria do të merrte përgjegjësinë e mbrojtjes së monumenteve kombëtare nga protestuesit.

Në një deklaratë, ministria tha se ndaj çdo trazire pranë monumenteve dhe statujave nuk do të përgjigjen më forcat e policisë, por ushtria.

Deklarata u bë ndërsa personeli ushtarak u pa të transportohej drejt kryeqytetit me mjete ushtarake.

Kanali opozitar “NEXTA Life Telegram” njoftoi se postblloqe të policisë ishin vendosur në pikat hyrëse të kryeqytetit bjellorus.

Deri më tani, dy njerëz janë konfirmuar të jenë vrarë gjatë protestave paszgjedhore në Bjellorusi.

Mijëra njerëz dolën në rrugët e Bjellorusisë pasi zoti Lukashenko, në pushtet që në vitin 1994, u shpall fitues i zgjedhjeve të 9 gushtit. Mbi 7 mijë persona janë ndaluar dhe qindra janë rrahur nga policia. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar procesin zgjedhor dhe kanë dënuar represionin e ushtruar pas zgjedhjeve.

Organizime me varganë njerëzish në solidaritet me Bjellorusinë ishin planifikuar për t’u zhvilluar në 26 vende, ndër to edhe në Lituani ku shpresa është që zinxhiri i formuar nga njerëzit të arrijë deri në kufirin me Bjellorusinë.

31 vite më parë, në 23 gusht 1989, gati 2 milionë njerëz bashkuan forcat në tre shtetet baltike Estoni, Letoni dhe Lituani, në protesta ndaj regjimit sovjetik që u bënë të njohura me emrin “Rruga e Baltikut”.

LEXO EDHE:

Back to top button