Ministri i Brendshëm Toshkovski thotë se hetimi për tragjedinë e Koçanit do të përfundojë shumë shpejtë

Ministri i Brendshëm Toshkovski thotë se hetimi për tragjedinë e Koçanit do të përfundojë shumë shpejtë

Gazetar: Avni Tahiri

Ministri i Brendshëm Pançe Thoshkovski thotë se hetimi për tragjedinë në diskotekën “Puls” është nga fundi. Pa dhënë një afat konkret tha se për një periudhë shumë të shkurtër hetimi do të përfundojë.

“Lidhur me hetimin që e udhëheq Prokuroria Publike, gjithçka që është ndërmarrë si veprim deri më tani është ndarë me publikun, hetimi ende po zhvillohet. Ministria e Punëve të Brendshme vepron në bazë të udhëzimeve që merr nga ana e Prokurorisë dhe shpresojmë se për një periudhë kohore maksimalisht të shkurtër do ta mballim hetimin në mënyrë që të vazhdojë pjesa tjetër e procedurës”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.

Por opozita vijon akuzat ndaj pushtetit dhe prokurorisë se po udhëheq hetim selektiv, duke mbrojtur nga përgjegjësia funksionarët aktualë. LSDM-ja kërkon zgjerim të menjëhershëm të hetimit ndaj funksionarëve aktualë që kanë qenë drejtpërdrejt përgjegjës natën e tragjedisë.

“Ndërsa ndiqen nëpunës nga dhjetë vite më parë, kryeshefat dhe zyrtarët e tjerë policorë që atë natë kishin detyrimin e drejtpërdrejtë për të vepruar mbeten të paprekur. Qeveria dëshiron që opinioni publik të harrojë se policia ka qenë aty dhe nuk ka bërë asgjë. Për më tepër, me këtë qasje vihet në pikëpyetje vetë procesi juridik i cili bëhet barrë si për prokurorinë ashtu edhe për gjyqësorin”, thonë nga LSDM.

“Në vend që hetimi të zhvillohet me standarde të drejtësisë, prokuroria po e orienton atë drejt populizmit dhe shpëtimit të Qeverisë. E gjithë bota akademike dhe juridike ka ngritur zërin: kjo qasje është antikushtetuese, në kundërshtim me praktikën ligjore dhe thellësisht joprofesionale. Kjo nuk buron nga shkenca e së drejtës, por nga një marrëveshje politike me pushtetin ekzekutiv”, thonë nga BDI.

Në hetimin për tragjedinë në Koçan deri tani janë përfshirë mbi 60 persona fizikë dhe tre persona juridikë, mes tyre pronari i diskotekës, ish kryetarë dhe kryetarë aktual të komunës së Koçanit, ish ministra të Ekonomisë, si dhe ish-drejtorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Hetimi ende vazhdon dhe po udhëhiqet nga një ekip prej 13 prokurorësh. Deri më tani janë kryer një numër i madh bastisjesh, janë marrë në pyetje shumë dëshmitarë dhe sipas informacioneve, janë mbledhur mbi një mijë prova materiale./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button