Ministria e drejtësisë ka gati draft-ligjin e ri për falje

Ministria e drejtësisë ka gati draft-ligjin e ri për falje

Gazetar: Mefail Ismaili

Pas reagimit të ashpër të opinionit publik, me kërkesat për falje që vinin nga të dënuar për 27 prillin, gjatë faljes së përvitshme të presidentit, ministria e drejtësisë ka gati tashmë draftin e ligjit të ri, i cili do të rregullojë shumë çështje. Për herë të parë, filtrat deri te presidenti, do të luajnë rolin e tyre, gjë kjo që gjatë periudhave të mëhershme, ishte jo-ekzistente.

Sipas sqarimeve në ligjin e ri:

“Presidenti mund të akordojë falje vetëm për të dënuarit por jo edhe për ata që ndiqen penalisht, ndaj individëve të veçantë.

Në kuadër të ministrisë së drejtësisë parashikohet formimi i një komisioni i cili do të përgatisë mendim sqarues në formë të shkruar për lutjen të cilën ministria e drejtësisë së bashku me raportin për lutje, do t’i dorëzojë te presidenti.

Shkurtohen afatet për secilin institucion të përfshirë në procedurën e faljes.

Po ashtu, parashikohet përgjegjësi për personat të cilët do të punojnë këto lëndë, por edhe udhëheqësit e tyre, sikurse ministri i drejtësisë, anëtarët e komisionit për falje, si dhe drejtorët e qendrave ndëshkuese-përmirësuese.

Me këto ndryshime, komisioni i ministrisë së drejtësisë, i cili deri dje nuk e bënte punën dhe rolin e tij, tani i ka të përcaktuara këto detyrime me ligj, përfshirë edhe afatet e shqyrtimeve të lëndëve që i dërgohen presidentit. Nga ana tjetër, presidenti, nuk do të mund të falë persona nën hetim apo ndjekje, sikurse pati ndodhur me ish presidentin Ivanov për lëndët që shqyrtoheshin nga Prokuroria Speciale, e po ashtu, s’mund të falë në mënyrë grupore, por vetëm individuale duke shqyrtuar një më një, çdo lutje.

Reagimi i fundit i opinionit publik ishte ai kur në listën e faljeve u futën edhe emra si Ninxha, Boban Iliq, si dhe Sead Koçan. Ministria e Drejtësisë arsyetohej në atë kohë se komisioni i saj gjoja nuk kishte të drejtë shqyrtimi, por ia dërgonte ato në paketë presidencës. Megjithatë, ishte sërish Ministria e Drejtësisë ajo që bëri tërheqjen mbrapsht të listës që sapo ia kishte dërguar presidentit. Për herë të parë në historinë pluraliste të Maqedonisë së Veriut, Presidenti nuk e ushtroi të drejtën e tij të faljes grupore, duke çuar në inicimin e një draft-ligji të ri.

Aktualisht, priten mendimet e presidencës lidhur me draftin e ri, që ai të futet më pas në procedurë parlamentare. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button