Ministria e mbrojtjes turke: Irani lëshoi raketë për në territorin tonë, u asgjësua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s

Ministria e mbrojtjes turke: Irani lëshoi raketë për në territorin tonë, u asgjësua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s

Gazetare: Fatlume Dervishi

Një raketë balistike nga Irani dhe kaloi hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë dhe po shkonte drejt Turqisë kur u rrëzua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s. Në një reagim zyrtar, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë theksoi se vendi ka kapacitet të plotë për të siguruar mbrojtjen e territorit dhe qytetarëve, duke paralajmëruar se çdo masë mbrojtëse do të merret vendosmërisht dhe pa hezitim.

NATO ka dënuar shënjestrimin e Turqisë nga Irani. Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, tha se NATO qëndron fort me të gjithë aleatët, përfshirë Turqinë, ndërsa Irani vazhdon sulmet e tij pa dallim në të gjithë rajonin. “Qëndrimi ynë parandalues dhe mbrojtës mbetet i fortë në të gjitha fushat, përfshirë mbrojtjen ajrore dhe raketore”, shtoi ajo.

Deri sa sulmet mes Iranit dhe Izraelit e SHBA-së nga ana tjetër, hynë në ditën e pestë, zyrtarë të lartë iranianë janë takuar virtualisht për të zgjedhur një udhëheqës të ri suprem, pasi sulmet e para SHBA-Izrael vranë Ajatollah Ali Khamenein. Djali i tij është mes disa sugjerimeve por Izraeli paralajmëroi se çdo udhëheqës i ri do të ishte “një objektiv i qartë për eliminim”.

Izraeli ndërkohë njofton goditje të reja “në shkallë të gjerë” ndaj infrastrukturës së regjimit në Teheran.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se operacioni ushtarak i SHBA-së kundër Iranit është ende në fazat e para dhe paralajmëroi një përshkallëzim të mëtejshëm. Më herët, marina e Sri Lankës raportoi se anija iraniane IRIS Dena u mbyt në Oqeanin Indian, ndërsa rreth 140 persona rezultojnë të zhdukur nga një total prej 180 personash që besohet se ndodheshin në bord.

“Po vijnë valë gjithnjë e më të mëdha. Ne sapo kemi filluar. Po përshpejtojmë, nuk po ngadalësojmë. Në Oqeanin Indian, SHBA-të fundosën një anije luftarake iraniane që mendonte se ishte e sigurt në ujërat ndërkombëtare. Në vend të kësaj, ajo u fundos nga një armë nënujore”, deklaroi Pete Hegseth, Sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Ndërkohë në SHBA, Senati shqyrton një rezolutë që do të kufizonte aftësinë e Presidentit Donald Trump për të vazhduar veprimet ushtarake në Iran pa miratimin e Kongresit.

Në vendet e prekura, luftimet deri tani kanë marrë më shumë se 1000 viktima. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button