Miratohet ligji për riorganizimin e Qeverisë

Miratohet ligji për riorganizimin e Qeverisë

Gazetar: Suad Bajrami

Me 88 vota “për” dhe 22 “kundër” rreth orës 3 të mëngjesit, deputetët e miratuan ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, me të cilin parashikohet riorganizimi i qeverisë.
Për ligjin votuan deputetët e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM, por edhe të BDI-së nga Fronti Evropian, të cilët, edhe pse fillimisht nuk e mbështetën, ndërruan mendje pas një takimi me përfaqësuesit e VMRO-së.

Ndërkohë për miratimin e ligjit nuk kanë votuar deputetët e Aleancës për Shqiptarët, të cilët janë pjesë e Frontit Europian. Kryetari Ziadin Sela, deklaroi se e mbajnë të drejtën e autonomisë së tyre se ligji nuk duhet të miratohet, edhe pse kanë qenë në takimin me përfaqësuesit e VMRO-së.

Kundër ligjit votuan deputetët e LSDM-së dhe të Majtës, të cilët, theksuan se janë kundër që ligji të miratohet me procedurë të shkurtuar, ndërkaq nuk ka të dhëna për implikimet financiare të të njëjtit. Dimitar Kovaçevski, tha se motivi i ligjit është vetëm për pazare politike dhe jo për rritjen e efikasitetit të ministrive.

“A bëhet fjalë për ndryshime të cilat janë të motivuara, nga dëshira që të rritet efikasiteti dhe optimizimi i punës së organeve të administratës shtetërore. Siç thuhet në vetë sqarimin, apo janë të motivuara nga dëshira që të lehtësohet pazari politik, që sa më lehtë të formohet koalicion qeveritar dhe koalicion për miratimin e ligjeve të tjera, për të cilat nevojitet shumicë prej dy të tretave. Është e qartë se bëhet fjalë për të dytën, respektivisht ky proces i riorganizimit është motivuar, vetëm për motive politike, për pazar politik dhe koalicionim”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

Megjithatë, nga VMRO-DPMNE theksuan që me miratimin e ligjit mundësohet racionalizimi dhe transparenca e institucioneve.

“Gjatë ditës së djeshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë u votuan ndryshimet e Ligjit për organizimin e punës së organeve të administratës shtetërore, me të cilat përfundimisht do të mundësohet riorganizimi i administratës shtetërore, për një qëllim të vetëm – efikasitet i plotë, racionalizim dhe transparencë të institucioneve në shtet”, shtoi Marija Miteva, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Miratimi i ligjit, i hapë rrugë mandatarit Hristijan Mickoski që t’i përshpejtojë procedurat për formimin e Qeverisë. Sipas paralajmërimeve, para festës së Bajramit pritet të formohet qeveria. Deri atëherë, Mickoski në Kuvend duhet të dorëzojë programin dhe emrat e përbërjes së re qeveritare./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button