Misioni Hënor i NASA-s po shkon drejt përfundimit

Mëngjesin e së shtunës, pjesa e ekuipazhit të anijes kozmike “Orion”, pritet të rikthehet në Tokë pas udhëtimit më të largët njerëzor drejt Hënës në historinë e eksplorimit hapësinor. Ky moment konsiderohet më i ndjeshmi dhe më i rrezikshmi i misionit, pasi kapsula do të përballet me fërkimin e atmosferës në rreth 40 mijë kilometra në orë dhe nxehtësinë ekstreme prej 2,760 gradë Celsius. Astronautët e misionit Artemis II mbajtën një konferencë për shtyp, ku astronauti kanadez Xheremi Hansen tha se kishte parë gjëra që “nuk i kishte imagjinuar kurrë”.

“Kemi parë disa gjëra të jashtëzakonshme, gjëra që mendoja se mund t’i shihnim. Unë u nisa me bindjen se jetojmë në një planet të brishtë, në vakumin dhe boshllëkun e hapësirës. Këtë e dimë nga shkenca. Jemi shumë me fat që jetojmë në Tokë. Një tjetër ide që kam mësuar gjatë jetës është se qëllimi ynë si njerëz është të gjejmë gëzim dhe ta ndajmë atë duke ndihmuar njëri-tjetrin, duke krijuar zgjidhje së bashku, jo duke shkatërruar. Kur e sheh nga këtu lart, kjo nuk ndryshon — përkundrazi, vetëm sa përforcohet. Është si të shohësh provë të gjallë të saj”, tha Xheremi Hansen, Astronaut i NASA-s.

“Është e pabesueshme të shohësh planetin tënd të zhduket pas Hënës. Mund të shihje atmosferën. Madje mund të shihje edhe relievin e Hënës të projektuar mbi Tokë gjatë eklipsit. Ishte një pamje e jashtëzakonshme”, tha Reid Uiseman, Astronaut i NASA-s.

Misioni hënor Artemis II, hap rrugën për Artemis III, që do të përfshijë një demonstrim të uljes në orbitë rreth Tokës. Më pas do të vijë Artemis IV në vitin 2028, kur dy astronautë do të përpiqen të zbresin pranë polit jugor të Hënës./Alsat.

LEXO EDHE:

Back to top button