“Mjaft!” Protesta në Barcelonë kundër turizmit të tepërt

“Mjaft!” Protesta në Barcelonë kundër turizmit të tepërt

Disa mijëra njerëz demonstruan mbrëmë në Barcelonë kundër turizmit të tepruar dhe pasojave të tij në jetën e përditshme në kryeqytetin e provincës spanjolle të Katalonjës, e cila vizitohet nga miliona vizitorë çdo vit, raportojnë mediat franceze.

Sipas policisë, rreth 2800 persona dolën për të protestuar me sloganin: “Mjaft! Të kufizojmë turizmin”, duke kërkuar ndryshimin e modelit ekonomik të qytetit, i cili konsiderohet si destinacioni turistik më i vizituar në Spanjë.

Kritikët e mbiturizmit janë më kritikët për ndikimin e tij në kostot e banesave – qiratë janë rritur deri në 68 për qind në dekadën e fundit – por edhe për efektet e tij të dëmshme në bizneset lokale, mjedisin dhe kushtet e punës së banorëve vendas.

Vetëm vitin e kaluar, Barcelona u vizitua nga mbi 12 milionë turistë. Për ta bërë më të lehtë aksesin e qytetarëve në banesa, këshilli bashkiak njoftoi së fundmi se dëshiron të ndalojë dhënien me qira të apartamenteve turistike deri në vitin 2029.

Nga Ishujt Balearik në Ishujt Kanarie përmes qyteteve kryesore turistike të Andaluzisë si Malaga, lëvizjet armiqësore ndaj mbiturizmit po fitojnë terren në Spanjë.

Spanja, si destinacioni i dytë më i madh turistik në botë, pas Francës, regjistroi një rekord prej 85.1 milionë vizitorë të huaj vitin e kaluar.

Rajoni më i vizituar është Katalonja me 18 milionë vizitorë, e ndjekur nga Ishujt Balearik (14.4 milionë), i ndjekur nga Ishujt Kanarie (13.9 milionë).

Turizmi në Spanjë përfaqëson 12.8 për qind të PBB-së.

LEXO EDHE:

Back to top button