Mjekët apelojnë: Fëmijët me grip të mos dërgohen në shkollë

Mjekët apelojnë: Fëmijët me grip të mos dërgohen në shkollë

Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Në prag të nisjes se gjysmë vjetorit të dytë shkollor, mjekët paralajmërojnë për një rritje të ndjeshme të rasteve me grip, me çka ngrenë alarmin për kujdes të shtuar nga ana e prindërve. Gjatë dy javëve të fundit numri i të infektuarve është dyfishuar, ndërsa përhapja më e madhe vërehet te fëmijët mbi moshën 5 vjeç, kurse me rrezik më të lartë nga komplikimet e gripit janë fëmijët nën moshën dy vjeçare.

“Po, sigurisht se presim një rritje të vazhdueshme, sepse kontaktet do të jenë më ta shtuara në numër, grumbullimi në një hapësirë më të vogël, dhe i presim po, sepse këto dy javët e fundit edhe në kujdestaritë pediatrie, si në kujdestaritë e mbrëmjes ashtu edhe në kujdestaritë ditore gjatë vikendeve është dyfish më i rritur në krahasim me muajt e kaluar”, deklaroi Albina Bektashi Qerimi, mjeke .

Mjekët thonë se prindërit së fundmi insistojnë që fëmijëve tu japin antibiotikë, gjë që sipas tyre është e gabuar dhe e rrezikshme. Mjekja Albina Bektashi Qerimi thotë se antibiotikët nuk veprojnë ndaj viruseve dhe përdorimi i panevojshëm i tyre çon në dobësim të imunitetit dhe dëmtim të organizmit të fëmijës.

“Shumica e prindërve kërkojnë gjënë e gabuar që është antibiotiku që në fillim dhe kundër këshillave të mjekut se nuk duhet të fillohet menjëherë me antibiotik, mirëpo është kërkesa e rritur, këmbëngulja e prindërve dhe marrja e antibiotikëve në dorën e tyre….Tek fëmijët e vegjël është shumë i dëmshëm, sepse organizmi në tre ditët e para të mbrohet me mundësit e veta, pas ditës së tretë mjeku e sheh të arsyeshme për ta realizuar një pasqyrë gjaku, ose një CRP për të parë a është pasojë e infeksionit viral apo bakterial dhe mandej të vazhdohet me mjekimin adekuat”, tha Albina Bektashi Qerimi, mjeke.

Mjekët këshillojnë që fëmijët me simptoma të gripit të mos dërgohen në shkollë, të kenë ushqim të pasur me vitamina, të ruajnë higjienën personale, të shmangin vizitat në këndet e lojërave dhe qendrat tregtare, si dhe të bëhet ajrosje e rregullt e ambienteve, si në shtëpi ashtu edhe në shkollë.  /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button