MO-ja ndër vite është përdorur si mundësi për marketing partiak dhe ahengje në kurriz të buxhetit shtetëror
MO-ja ndër vite është përdorur si mundësi për marketing partiak dhe ahengje në kurriz të buxhetit shtetëror
Gazetar: Suad Bajrami
Shënimi i përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit (MO), si datë e rëndësishme që ndaloi përshkallëzimin e konfliktit të vitit 2001 dhe hapi një kapitull të ri për statusin politik të shqiptarëve në Maqedoni, në vend që të jetë një mundësi për momente reflektimi, dhimbje për jetët e humbura apo mundësi për të përçuar mesazhe dhe qëndrime politike për zbatimin e saj, ndër vite është përdorur si mundësi për marketing partiak dhe ahengje në kurriz të buxhetit shtetëror. Në mesin e faturave marramendëse të përvitshme për shënimin e 13 gushtit, rekordin e mban festa disaditore e 20-vjetorit jubilar, ku në rrethana të pandemisë dhe krizës me zjarret në vend, Artan Grubi dhe kolegët e tij nga kryesia e BDI-së i prinin festës me detaje luksoze. Një festë e tillë iu kushtoi qytetarëve që jetonin në krizë ekonomike, gjysmë milioni euro. Opozita e atëhershme e bojkotoi festën dhe e quajti tentim për të mbuluar dështimin, ndërsa kritikonte shpenzimin e lartë të parave në kushte kur statusi i ish-ushtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre nuk ishte zgjidhur.
“Sot shpenzohen 500 mijë euro për të organizuar një festë, aheng parazgjedhor i partive në pushtet, derisa ata që ishin më meritorët, pra familjet e dëshmorëve dhe pjesëmarrësit e luftës 2001 luftojnë për mbijetesë me plagë të pashëruara dhe shumë prej tyre kanë marrë rrugën e mërgimit”, deklaroi Zulfi Adili – Qufa.
Sipas dokumenteve zyrtare, pjesën e parë të tenderit që peshonte 400 mijë euro e kishte fituar kompania Arbëria Design nga Tetova, e cila në vitet 2016-2021 derisa BDI ishte në pushtet, kishte fituar tenderë në vlerë të përgjithshme mbi 15 milionë eurosh për shtypje librash. Kompania ishte obliguar që të rezervonte një sallë për 300 persona dhe një sallë konferencash jashtë Shkupit. Krahas kësaj, mysafirët do të duhej të shërbeheshin me meze, ushqim, pije alkoolike e joalkoolike. Ajo kishte për detyrë të kujdesesh edhe për të ftuarit e veçantë, sikurse i promovonte vetë Grubi, yje muzikore, prezantues, orkestër filarmonie e shoqëri artistike.
Në kontratë parashikohej edhe zërimi për muzikën, debatet, koncertet që Grubi i parashikonte deri në 10 mijë mysafirë. Arbëria Design siguronte edhe materialet propagandistike, më konkretisht videospotin me këngë dhe ato që BDI-ja i trumbetonte si arritjet të marrëveshjes së Ohrit. Për t’i dhënë një dorë artisti, ishte parashikuar edhe angazhimi i një poeti që do të thurte poezi me aranzhim muzikor, si dhe një film dokumentar për Marrëveshjen e Ohrit i cili ishte bërë në 500 kopje DVD, në zarfe unike për të ftuarit.
Nga ana tjetër, 97 mijë euro kishte fituar një tjetër firmë nga Tetova me emrin “Euro Turist Ziber” e cila ishte marrë ekskluzivisht me akomodimin e mysafirëve, në hotele me 5 yje, me salla ushtrimesh e palestra si dhe qendra masazhesh e llixha, ndërsa transportimi i tyre bëhej me makina jo më të vjetra se 7 vjet.
Edhe në vitet pasuese u ndoq e njëjta praktikë, ndonëse me buxhete më të ulëta. Si për shembull, në vitin 2022, nga tenderët, rreth 1200 euro në ditë shpenzoheshin vetëm për fjetje në hotele të mysafirëve. U angazhuan muzikantë nga jashtë vendit që u paguan me nga 10 mijë euro, ndërsa ata të vendit nga 7 350 euro.
Gjithashtu ishin parashikuar mjete edhe për zërim, ndriçim, incizim dhe fotografim të ngjarjes. Ndërsa 5 600 euro u ndanë sërish për vargjet poetike dhe ahengje. Praktika, vazhdoi derisa BDI ra nga pushteti.
Në kuadër të festës, BDI-ja i kishte quajtur ahengjet dhe koncertet muzikore si “Peace Festival”, një tendencë që në kurriz të buxhetit të shtetit, Grubi theksonte se do ta bënte festival të ngjashëm me “Sunny Hill” në Prishtinë, apo “Exit” në Serbi. /Alsat.mk








