Ish-kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska i futet garës për kreun e Komunës Qendër
Ish-kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska i futet garës për kreun e Komunës Qendër
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Ish-kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska ka shpallur kandidaturën e saj tw pavarur për kryetare të komunës Qendër në zgjedhjet lokale të 19 tetorit. Ivanovska do të mbështetet në disa shtylla, përgjegjësi, llogaridhënie, transparencë, inkluzivitet dhe solidaritet. Sa i përket temës më të nxehtë periudhës së fundit, ajo për ndërtime pa leje, Ivanovska thotë se lejet do të jepen vetëm për ndërtime me plane të harmonizuara me standardet më të larta.
“Vendosa të kandidoj për kryetare të komunës Qendër, komunë në të cilën i ndaj të njëjtat probleme me bashkë qytetarët, ku e thithim të njëjtin ajër i cili nuk është i ndotur vetëm me grimca PM por edhe me shumë politika të këqija dhe korrupsion e cila ndikon në mënyrë shkatërruese tek qytetarët. Drejtësia, integriteti dhe përgjegjësia janë vlera të cilat më udhëheqin tërë jetën dhe konsideroj se këto mund të shndërrohen në politika kreative të cilat do të sigurojnë komunë më të mirë dhe më të shëndetshme për qytetarët tanë”, tha Biljana Ivanovska – Kandidate për kryetare në Qendër.
Por cilat janë problematikat më të mëdha në komunën Qendër? Si pjesë e planit për nivel më të lartë të higjienës, komuna Qendër bashkë me komunën e Çairit në vitin 2013 patën vendosur kontejnerë nëntokësorë. Qëllimi ishte që të modernizohet sistemi i mbledhjes së mbeturinave dhe përmirësimi i higjienës publike në qytet. Megjithatë, ky sistem nuk është se ka funksionuar si duhet marrë parasysh se qytetarët përsëri i hedhnin mbeturinat jashtë tyre ndërsa periudhën e fundit as ndërmarrja publike “Higjiena Komunale” nuk ka funksionuar si duhet. Problematikë tjetër ngelet vend parkimi. Hapësirat për parkim janë të pakta ndërsa thuajse e tërë komuna funksionon me vend parkime në rrugë, por me pagesë. Shijen më të keqe për momentin komunës Qendër i’a jep Salla Universale. E njëjta ka ngelur në gjendje të mjerueshme që pas zjarrit që e kaploi ndërsa është lënë pas dore për shkak inateve politike. Rinovimi i saj pati filluar në vitin 2021 kur me qytetin e Shkupit udhëhiqte Petre Shilegov por me ardhjen e Arsovskës, punët u ndërprenë dhe për katër vjet asgjë nuk është punuar. Me vendim të Qeverisë, në vitin 2023 ministria e kulturës ia mori kompetencat qytetit të Shkupit ndërsa në tetor të vitit të kaluar, ish ministrja Kostadinovska Stojçevska mori kallëzim penal për shkak se nuk ka shpallur tender të ri për ndërtim të sallës.
Komuna Qendër kryesisht është udhëhequr nga kuadro të LSDM-së, përveç se në periudhën 2009 – 2013, kur me të udhëhiqte Vlladimir Todoroviq, kuadër i VMRO-DPMNE-së. Pas tij, për një mandat timonin e komunës e mori Andrej Zhernovski. Me komunën qendër nga viti 2017 deri në vitin 2021 udhëhoqi Sasha Bogdanoviq gjithashtu kuadër i LSDM-së. Nga viti 2021 deri më sot, Qendra udhëhiqet përsëri nga LSDM, nga Goran Gerasimovski. Ky i fundit është përsëri kandidat i LSDM-së për Qendrën, ndërsa nga ana tjetër për kundërkandidat zyrtarisht ka vetëm Ivanovskën, ndërsa nga koalicioni qeveritar, me shumë mundësi kandidat do të jetë zv.ministri i energjetikës, Mirosllav Labudoviq, kuadër i Lëvizjes Znam, por që do të mbështetet edhe nga VMRO-ja. Megjithatë, për atë se kush do ta marrë qendrën, do të vendoset në raundin e dytë të zgjedhjeve. Nga KSHZ kanë njoftuar se deri në fund të javës do të mbajnë mbledhje ku do të miratohen mbi 15 akte nënligjore si rregullore, udhëzime dhe vendime për realizimin e aktiviteteve për zgjedhjet lokale, mes të cilave edhe udhëzimin për kandidatët e pavarur të cilët do të mësojnë se sa nënshkrime duhet të mbledhin për të kandiduar. /Alsat.mk








