Moderna kërkon miratim për vaksinën e saj për adoleshentë në BE dhe Kanada
Moderna njoftoi sot se ka bërë kërkesë për autorizim për vaksinën e saj antiCOVID-19 për adoleshentët e moshës 12 deri në 17 në BE dhe në Kanada.
Aplikimet janë depozituar në Agjencinë Europiane të Barnave (EMA) dhe në Health Kanada.
Aktualisht, vaksina e Moderna-s është e autorizuar vetëm për personat 18 vjeç e lart.
Një vaksinë e parë, ajo e Pfizer/BioNTech, u autorizua në fund të majit për adoleshentë nga 12 vjeç në 27 vendet e Bashkimit Europian.
Vaksina e Pfizer është gjithashtu e autorizuar tashmë për këtë grupmoshë edhe në Kanada.
Moderna njoftoi në fund të majit rezultatet e plota të provave klinike në më shumë se 3 700 pjesëmarrës të moshës 12 deri në 17 në SHBA.
“Në këtë studim, asnjë rast i COVID-19 nuk u vu re në pjesëmarrësit që morën dy doza të vaksinës Moderna antiCOVID-19”, domethënë pati një efikasitet 100% duke përdorur të njëjtin përkufizim të rasteve si për të rriturit”, tha kompania bioteknike amerikane sot në një deklaratë.
Kompania shtoi, gjithashtu, se vaksina është “toleruar përgjithësisht mirë”, pa “shqetësime sigurie të identifikuara deri më tani”.
Vaksina e Moderna-s, si ajo nga Pfizer/BioNTech, përdor teknologjinë e mesazheve RNA.








