“Monstra”, ASH-AAA: Protestuesit u nxitën nga policia

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa akuzojnë Qeverinë për provokimin e dhunës në protestën e një ditë më parë kundër vendimit gjyqësor në rastin Monstra. Sipas tyre, policia në kundërshtim me ligjin ka kufizuar të drejtën e protestës dhe për këtë arsye ministri dhe zëvendësministri i Brendshëm duhet të japin dorëheqje menjëherë.


Policia ishte ajo që gjuante gurin dhe fshihte dorën me qëllim që të provokojë masën e cila shihet në filmimet e mediave dhe kjo flet për skenarin e përgatitur nga regjimi Zaev-Ahmeti. Koalicioni ASH-AAA kërkon lirimin e të arrestuarve dhe dorëheqje të menjëhershme nga ministri dhe zëvendësministri i policisë- deklaroiBujare Abazi, Nënkryetare e ASH-së.

VMRO-DPMNE-ja dënon dhunën, por shton se fajtor për këtë është kryeministri Zaev i cili ka manipuluar me ndjenjat e qytetarëve.

Kryeministri Zoran Zaev ka luajtur me ndjenjat e qytetarëve. I gënjeu shqiptarët dhe maqedonasit, përkatësisht i gënjeu familjet e viktimave dhe të dënuarve. Praktikisht ai ka nxitur tensione ndëretnike. Për gjithçka që ndodhë së fundi në lidhje me Monstrën, fajtor është Zoran Zaev- tha Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM-ja thonë se nuk arsyetojnë dhunën nga cilado palë që vjen dhe kërkojë zbardhjen e plotë të incidenteve nga protesta e një ditë më parë.

Dënojmë çdo lloj dhune nga kushdo që vjen dhe ndaj kujtdo që drejtohet. Presim institucionet ta shqyrtojnë rastin dhe të zbardhet çfarë saktësisht ka ndodhur në protestën e një dite më parë- pohoi Bogdanka Kuzeska, Zëdhënëse e LSDM-së.

Nga BDI thonë se qytetarëve nuk duhet t’u mohohet e drejta e protestës, por në të njëjtën kohë thonë se protestat duhet me doemos të jenë paqësore.


…Duhet vazhdohet pa u mohuar e drejta e qytetarëve për tu mbledhur, por duhet respektuar rendi i brendshëm dhe natyrisht organet duhet zbatojnë procedurat për kontrollin dhe mbarëvajtjen e protestës- tha Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.

Policia njofton se lidhur me protestat e një ditë më parë janë arrestuar 8 persona ndaj të cilëve do të ngrihen kallëzime penale për “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale”, derisa shtojnë se janë duke punuar për identifikimin e personave të tjerë pjesëmarrës në protestë. Janë lënduar 11 policë tek të cilët janë konstatuar lëndime të lehta trupore. Policia ditë më parë nuk lejoi protestuesit të marshojnë deri tek Qeveria edhe pse një gjë të tillë e kishin paraqitur zyrtarisht. Në disa filmime pjesëtarë të policisë u panë duke hedhur gurë ndaj protestuesve, ndërsa në radhët e para të kordonit policorë ishin vendosur edhe polic me kallashnikov, gjë që bie në kundërshtim me Ligjin për polici dhe dispozitat për përdorimin e mjeteve të dhunës në situata për neutralizim të turmës.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button