“Mos marrja e datës”, Kacarska: Konkluzionet ishin të pritshme

Evi Shkopi

Konkluzionet e Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian për Maqedoninë, nuk kanë befasuar Institutin për Politikë Evropiane. Simonida Kacarksa thotë se ato pasqyrojnë gjendjen faktike, pozicionin bullgar, që nuk është i pranueshëm, as për vendin tonë e as për shtetet anëtare të BE-së, shkruan Alsat.

Blloku evropian në konkluzionet që miratoi të martën nuk dha afat se kur mund të mbahen konferencat e para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por tha se me padurim e pret mbajtën e tyre, sa më shpejt që është e mundur, këtë vit.

“Konkluzionet nuk janë diçka që duhet të na befasojnë. Ato pasqyrojnë gjendjen faktike. Bullgaria ka kërkesa për çështjet që sipas saj duhet të jenë pjesë e kornizës negociuese, por ato nuk i pranojnë shtetet anëtare të BE-së, sikur që nuk i pranon as Maqedonia andaj edhe rezultati është ky që e kishim parashikuar. Që të mundemi të ecim para Bullgaria duhet të pajtohet me kornizën negociuese, e cila edhe për ne do të ishte e pranueshme. Pres që ajo të jetë objekt diskutimi në 6 muajt e ardhshëm mes grupeve të punës, të cilat i paralajmëroi kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, ndërsa në masë të madhe u pranuan nga ne, se jemi në dispozicion ta zgjerojnë dialogun, jo vetëm me çështjet historike, por edhe me tjera si ekonomike, infrastrukturore etj, me qëllim që arrijmë në një situatë që Bullgaria të ndjejë se përfituar diçka për ta bërë hapin për miratimin e kornizës së bisedimeve”- deklaroi Simonida Kacarska, Instituti për Politika Evropiane.

Në konkluzionet e miratuara Këshilli theksoi edhe nevojën për zbatimin marrëveshjes së Prespës ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë si dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Simonida Kacarska thotë se kjo pritej, por ajo thotë se pritej që pjesë e konkluzioneve të mos jetë edhe rezoluta e Parlamentit bullgar, që nuk është në frymën evropiane dhe të fqinjësisë së mirë.

“Pritej se BE-ja të na kujtojë se ka nevojë për zbatimin e marrëveshjes së Prespës dhe marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Kërkesat Bullgare të cilat janë pjesë e rezolutës së Parlamentit Bullgar janë jashtë asaj marrëveshje, përfaqësojnë interpretim të Bullgarisë e cila është neutrale dhe problematike dhe nuk mund të presim që interpretimi i tyre do të shkojë në frymën e marrëdhënieve fqinjësore ashtu siç BE e nënkupton zbatimin e këtyre marrëveshjeve”- shtoi Simonida Kacarska, Instituti për Politika Evropiane.

Ministrat e Jashtëm të 27 shteteve anëtare të BE-së bazuar në konkluzionet e miratuara, bisedimet për anëtarësimin apo konferencat e para ndërqeveritare me Maqedoninë dhe Shqipërinë mund ti nisin menjëherë pasi të arrihet marrëveshje me Bullgarinë.

 

LEXO EDHE:

Back to top button