Moska zyrtare dëbon një diplomat të Shkupit

Rusia ka dëbuar një atashe të misionit të Maqedonisë së Veriut në Moskë pak javë pasi Shkupi zyrtar dëboi një anëtar të misionit diplomatik të Rusisë në vend. Informacionin e konfirmoi Ministria e Punëve të Jashtme.

Ministria e Punëve të Jashtme

“Ushtruesi i detyrës në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Moskë, Olivera Çaushevska Dimovska është ftuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës ruse gjatë së cilës i është dhënë nota e shpalljes “persona non grata” të diplomatit tonë-atashe në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Moskë.”

Ministria e Jashtme dhe ministri Bujar Osmani shprehin keqardhje për këtë veprim të pabazë nga pala ruse, i cili thonë se paraqet vendim politik të bazuar vetëm në hakmarrje politike dhe që negativisht do të ndikojë në intensitetin e marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve.

Javë më parë Ministria e Punëve të Jashtme dëboi anëtarin e misionit rus në vend me arsyetimin se veprimet e tij nuk kanë qenë në përputhje me sjelljen që pritet nga një diplomat i huaj. Arsye konkrete nuk u tha asnjëherë nga institucionet. Rusia e kishte dënuar veprimin i cili sipas tyre mund të ndikonte në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Edhe pse nuk është konfirmuar zyrtarisht, flitet se dëbimi i diplomatit rus nga Shkupi është arsye që vendi nuk ka marrë akoma 200 mijë vaksinat e porositura ruse Sputnik V.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button