Gazetar: Avni Tahiri
Në shumë rrugë të komunës së Çairit, vizë bardhat pothuajse nuk duken. Këmbësorët kalojnë rrugën me rrezik, ndërsa shoferët shpesh nuk ndalen, pasi mungon sinjalizimi horizontal. Kjo situatë paraqet rrezik të përditshëm, e sidomos për fëmijët dhe të moshuarit të cilët detyrohen të kalojnë rrugën pa sinjalizim të qartë.
Qytetarët ankohen se problemi është i pranishëm në disa lagje dhe se nuk janë marrë masa konkrete, ndërsa kërkojnë nga institucionet përgjegjëse rifreskimin sa më të shpejtë të vizë bardhave për rritjen e sigurisë në trafik.
”Ka shumë vende andej që nuk duken aspak. A u japin përparësi shoferët? Po, detyrohen se unë kur dal në rrugë ai s’mund të me shkelë, pra detyrohen, por nuk është mirë. Këtu nuk funksionon asgjë hiç e sidomos këtu tek ne në Çair, nuk jemi të kënaqur jo, kot i votojmë” , deklaroi një qytetare.
“Është rrezik dhe duhet të ketë kujdes si këmbësori ashtu edhe vozitësit. Duhet të ndërmerren më shumë masa, të ketë kontrolle dhe të kujdesemi për veten”, tha një qytetar.
“Ne kërkojmë ku ka vizë bardha por nuk janë mirë të ngjyrosura që të duken se ku janë, dhe duhet të dihen se ku ka vend kalime”, u shpreh një tjetër qytetar.
Nga Komuna e Çairit thonë se janë në dijeni për nevojën e rifreskimit të sinjalizimit horizontal, por janë kompetentë vetëm për rrugët anësore dhe dytësore, ndërsa kontrata për rifreskim të vizë bardhave ka skaduar dhe duhet lidhur kontratë e re në fillim të 2026.
“Sa i përket rrugëve komunale, kontrata ekzistuese për sinjalizimin rrugor ka përfunduar, ndërsa Komuna planifikon që në fillim të vitit 2026 të lidhë një kontratë të re, e cila do të mundësojë rifreskimin e vijave të komunikacionit dhe përmirësimin e sinjalizimit horizontal në të gjitha rrugët që janë nën kompetencën e saj”, njoftojnë nga Komuna e Çairit.
Ngjyrat e zbehta të vendkalimeve, mungojnë edhe në bulevarde të cilat janë nën kompetencë të Qytetit të Shkupit, nga ku presim përgjigje se kur do të veprohet në terren. Deri në ndërhyrjen e institucioneve për përmirësimin e kësaj gjendje, qytetarët dhe shoferët në Çair, do të duhet të merren vesh se kush ka përparësi që të kalojnë rrugën në vendet ku vizë bardhat nuk duken. /Alsat.mk








