Rreth 70 mijë euro dekor – Përfundon në kopje të keqe bredhi në qendër të Shkupit, qytetarët e quajnë tallje

Rreth 70 mijë euro dekor – Përfundon në kopje të keqe bredhi në qendër të Shkupit, qytetarët e quajnë tallje

Gazetar: Avni Tahiri

Dekorimi për festat e Vitit të Ri, Qytetit të Shkupit i ka kushtuar rreth 70 mijë euro.

Ndërkohë, pema e Vitit të Ri me dritare të bardha ka shkaktuar reagime të shumta, veçanërisht në rrjetet sociale, ku po bëhen krahasime me një pemë të ngjashme të vitit 2015 të kryeqytetit të Lituanisë e cila atë kohë ishte shpallur si një nga dekorimet më kreative në Evropë.

Kërkimet e qytetareve sa i përket çmimit të pemës së Vitit të Ri të kryeqytetit kanë shkuar deri atje sa kanë gjetur edhe çmimet e një peme të ngjashëm në Aliexpres i cili në varësi të lartësisë dhe madhësisë kushton nga 1500 deri në 6,000 dollarë.

Por si e komentojnë pemën e Vitit të Ri dhe dekorimin, qytetarët e Shkupit? Disa thonë se dekorimi në kryeqytet është modest e disa tjerë thonë se duket më bukur se vitet e kaluara.

“Nuk është tradicionale, ne jemi tradicional dhe ndoshta do të ishte më mirë që të ishte fenerë dekorativ”, tha një qytetar.

“Mendoj se këtë vit më mirë është se vitin e kaluar. E pema? Pema është për notën pesë”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Si u duket dekorimi i këtij viti? Modest por duket bukur, nëse mbetet kështu”, theksoi një qytetar.

“A u pëlqen dekorimi? Bukur është, shkëlqyeshëm”, tha një qytetar.

Në rrjetet sociale shpërndahen edhe shaka sa i përket pemës së Vitit të Ri të Shkupit. Në një postim ironik, kërkohet që pema e kryeqytetit të dërgohet në Ohër me qellim që të kenë më shumë vizitorë.

Për dallim nga sheshi i kryeqytetit, në sheshin Skënderbeu në Çarshi të vjetër të Shkupit, deri tani nuk është vendosur asnjë dekorim për fundvit. Dekorimet e vetme në vendin e preferuar të vizitorëve të huaj janë dritat që vetë pronarët e dyqaneve i kanë zbukuruar bizneset e tyre./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button