Mungesë familjesh kujdestare në vend: 664 fëmijë në rrezik social nën përkujdesje, por interesimi mbetet i ulët
Gazetar: Avni Tahiri
Në 384 familje kujdestare në vendin tonë janë vendosur 664 fëmijë dhe të rinj në rrezik social. Por edhe përkundër kompensimit nga ana e shtetit që këto familje të marrin 22 mijë denarë në muaj për kujdes, interesimi i familjeve kujdestare mbetet i ulët.
Nuk ka një numër të saktë se sa fëmijë në rrezik social presin një familje kujdestare, pasi nevoja për strehim dhe kujdes ndryshon vazhdimisht. Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një proces të vazhdueshëm, ku nga dita në ditë mund të paraqiten raste të reja që kërkojnë vendosje në familje kujdestare.
”Nevoja është e përditshme, pasi ndodh që ndonjë fëmijë apo person të lihet për të qenë nën kujdes të ndonjë resori që e kemi si shtet. Ky është proces në vijim i cili sot mund të mos kemi asnjë fëmijë të paraqitur e të nesërmen mund të ndodhë që të krijohet nevoja për më shumë fëmijë që të jenë nën kujdes. Shteti kujdeset drejtpërsëdrejti për familjet kujdestare me 22 mijë denarë kompensim për fëmijë nën kujdes.” tha Gjoko Velkovski, Zëvendësministër në Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Sipas drejtoreshës së SOS Fshatit të Fëmijëve, kohëve të fundit është ulur ndjeshëm interesimi i familjeve të cilët duan të bëhen kujdestarë të fëmijëve në rrezik social.
“Për fat të keq nuk ka interesim të mjaftueshëm. Ka por nëse paraqiten tre familje kujdestare në kemi nevojë për dhjetë të tilla. Pra, jemi gjithë kohen në mungesë të familjeve kujdestare. Mos interesimi mendoj se është edhe jo motivimi por edhe duhen ndryshime ligjore, psh. për të qenë kujdestar duhet të jeni të punësuar. Nëse ju dëshironi të kujdesi për ndonjë fëmije si do të shkoni edhe në punë e ndërkohë nuk ju takon pushim si shkak i kujdesit të një fëmijë në rrezik social. Pra ka disa pengesa të cilat në ligj duhet që të largohen fillimisht.” tha Julijana Nakova-Gapo, Drejtoreshë e SOS Fshatit të Fëmijëve në Maqedoninë e Veriut.
Për t’u kujdesur për një fëmijë në rrezik social, familjet kujdestare fillimisht duhet të kenë kushte të përshtatshme materiale, arsimim përkatës, gjendje të mirë psikofizike dhe të mos kenë qenë të dënuara. Para vendosjes së një fëmije nën kujdestari, punonjësit e qendrës sociale vizitojnë familjen dhe bëjnë vlerësimin e kushteve. Pas certifikimit, familjet kontaktohen kur paraqitet nevoja për kujdestari. Nuk ka një afat të caktuar se sa zgjat kujdesi ndaj fëmijëve në rrezik social por ai zgjat për aq kohë sa ekziston nevoja./Alsat.mk.








