Muriqi ka bindur të gjithë se është i denjë për Premier Ligën e Anglisë

“The Athletic” ka bërë një analizë për atë se si Barnli thuajse papritur ka ngjallur shpresat për mbetje në Premier Ligë. Tetë xhiro para fundit, Barnli mban pozitën e 19-të me 18 pikë, Lutoni e Notingami kanë katër pikë në dy pozitat më lart. Meritor për kthimin në garë të Barnlit është edhe portieri i Kosovës, Aro Muriqi. Shtatlarti e fitoi rastin në dy ndeshjet e fundit dhe Barnli mori dy rezultate pozitive. Fitoi 2:1 ndaj Brentfordit dhe barazoi 2:2 me Çellsin.
“Arijanet Muriq po ofron siguri. Ishte i vetmi zëvendësim që trajneri Vinsent Kompani nuk kishte provuar. Por pas 28 xhirosh me besim të palëkundur në transferimin e verës, Xhejms Trafford, trajneri Kompani vendosi të ndërrojë portierin. Muriqi ishte i jashtëzakonshëm në kampanjën në Championship që përfundoi me titull edicionin e kaluar. Bëri vend në ekipin më të mirë të edicionit, sipas votimit të lojtarëve. Ishte pjesë e ekipit që mburrej me bilancin më të mirë në mbrojtje. Kombinoi ndaljen e gjuajtjeve me kualitetin gjatë posedimit të topit”, ka analizuar “The Athletic”.
“The Athletic” shkruan se Muriqi është i denjë për Premier Ligë dhe se bashkëlojtarët i besojnë atij.
“Pyetja tani është se ku do të ishte Barnli sot nëse Muriqi do të kishte nisur edicionin në portë, apo do të fitonte rastin më herët”.
Aro Muriq është portieri i parë i Kosovës.