Mustafa: Çështja e Luginës së Preshevës. Nuk është as rast ekonomik, nuk është as rast social, por është rast politik
Çështja e Luginës së Preshevës. Nuk është as rast ekonomik, nuk është as rast social, por është rast politik thekson Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në zyrën e tij në Bujanoc. Edhe në raportin e sivjetmë të Departamentit të Shtetit për gjendjen e të drejtave në Serbi spikatet se si ministri i Brendshëm, Aleksandër Vulin, përdor termin poshtërues për shqiptarët. Aty theksohet gjithashtu diskriminimi në punësim, arsim e shërbime sociale për shqiptarët. Kështu, shqiptarët, sidomos të rinjtë, po ia kthejnë shpinën vendlindjes
Një shtyllë e hirtë metalike mban tabelat e kaltra të dy shesheve dhe një rruge, shkruar në dy gjuhë e dy alfabete të ndryshme – latin e cirilik. Aty lidhen “Sheshi i Paqes”, sheshi “K Petroviq” dhe rruga “V.S. Stepanoviq” në zemër të Bujanocit. Por, shqiptarët vendës thonë se shteti serb po i konsideron qytetarët të rendit të dytë vetëm për shkak të etnisë.
Bujanoci qeveriset nga partitë shqiptare, por Valon Sadiku thotë se niveli qendror ka kufizuar skajshmërisht investimet e mundësitë e punësimit. Ai ka kryer mjekësinë, por punon si kamarier.
“Të rinjtë nuk kanë mundësi të veprojnë këtu, prandaj liderët nuk kanë faj, se faj ka shteti këtu, nuk ta mundëson të veprosh këtu në Luginë të Preshevës. Diskriminim total”, thekson Sadiku në qendër të qytetit. “Nuk pranon diplomat (e Kosovës, v.j.). Diskriminim total këtu në Bujanoc, por në përgjithësi në Luginë të Preshevës”.
“Ne përditë e më shumë mendojmë qysh të largohemi” Sadiku thotë se përditë e më shumë po vështirësohet jetesa. “Ne përditë e më shumë mendojmë qysh të largohemi”.
Driton Hyseni nga Bujanoci është student i vitit të tretë të gazetarisë në Prishtinë, por diploma universitare nuk do t’i njihet nga autoritetet nëse kthehet në vendlindje. “Disa nga problemet kryesore të Luginës së Preshevës është papunësia e madhe, sidomos në mesin e të rinjve këto viteve të fundit, e që ka rezultuar me ikjen masive nga ajo pjesë”, thekson Hyseni. Serbia, edhe pse ishte pajtuar gjatë dialogut të Brukselit për të njohur diplomat e Kosovës, nuk po i zbaton ato. Të rinjtë e Luginës, të diplomuar në Kosovë, po përballen vazhdimisht me vështirësi që të kthehen në vendlindje. Hyseni thotë se kështu të rinjtë po detyrohen të jetojnë në Kosovë, ose të migrojnë në Evropën Perëndimore.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës rrokën armët në fund të vitit 2000, me besimin se Ushtria Çlirimtare Kombëtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc do të çlironte tokat e tyre.
“Po tash këtu që kemi ardhur te shtëpia, jemi më të lirë, edhe jemi në shtëpi tona, edhe prej shtëpive tona nuk kemi ku shkojmë”, do të deklaronte Qamil Ganiu në dhjetorin e vitit 2000 për agjencinë e lajmeve, AP, e cila do të xhironte ushtarët e UÇPMB-së duke patrulluar përgjatë fshatrave malore të shqiptarëve matanë kufirit të Kosovës. Por pothuajse 21 vjet pas Marrëveshjes së Konçulit, që ndër të tjera, përfshinte demilitarizimin e zonës e integrimit e shqiptarëve, përfshirë ish-ushtarët e UÇPMB-së, në institucione lokale të të gjitha fushave, qytetarët, politikanët dhe organizatat e të drejtave të njeriut thonë se Serbia vazhdimisht ka shkelur zotimet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët.








