Nagelsman heziton të firmos, paga nga Bajerni bëhet shkak
Julian Nagelsmann raportohet se po heziton të marrë detyrën e përzgjedhësit të kombëtares së Gjermanisë. Federata e Futbollit e Gjermanisë (DFB) ka zhvilluar bisedimet e para me trajnerin gjerman, por ende nuk ka ndonjë marrëveshje të arritur.
Sipas “Kicker”, problemi kryesor po qëndron te paga e Nagelsmann. DFB i ka ofruar atij 4 milionë euro, ndërsa paga e tij në ish-klubin Bajern Munih, është 7 milionë euro. Kjo pagë ende po i paguhet nga “bavarezët”. Për të provuar dhe adresuar këtë çështje, përfaqësuesit e 36-vjeçarit thuhet se kanë parë mundësinë e pagesës së largimit nga Bajerni, por klubi nuk është i interesuar për idenë.
Te kampionët në fuqi gjermanë besojnë se nuk është problemi i tyre kur bëhet fjalë për Nagelsmann dhe DFB-në, që po përpiqen të arrijnë një marrëveshje. Nëse Federata gjermane dështon të nënshkruajë me ish-trajnerin e Leipzigut, ka opsione të tjera më të lira në dispozicion për ta. Dy emrat e raportuar janë Luis van Gaal dhe Stefan Kuntz.








