Sulmuesi suedez Zlatan Ibrahimovic iu nënshtrua kontrolleve të gjera, të cilat konfirmuan një çarje të binjakut medial në pulpën e këmëbs së djathtë.
Sipas ‘Sky SPort’, sulmuesi i Milanit ishte ndalur gjatë nxehjes, në minutën e 65-të të ndeshjes kundër Leçe, duke ndier një shqetësim me pulpën e këmbës, që e pengoi të merrte pjesë në ndeshjen e fituar 2-0 nga “kuqezinjtë”, falë dopietës së Leaos.
Një tjetër pengesë, pra, për suedezin që nuk dëshiron të ngrejë “flamurin e bardhë” dhe në çdo rast synon të rikthehet në dispozicion të Stefano Piolit për shkak të sfidave të fundit sezonale, të cilat e shohin “Djallin” të angazhuar për një vend në “top 4” e Serie A, çka do t’i hapte dyert për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve të ardhshme. Një problem i natyrës muskulare që vë në dyshim fundin e sezonit për numrin 11 të kuqezinjve, i cili deri më sot ka grumbulluar 144 minuta aktivizim në Serie A, të shpërndara në ndeshjet kundër Atalantës, Fiorentinës, Salernitanës dhe Udinezes.
Pikërisht ndaj “Friulianëve”, Ibra shënoi golin e parë dhe të vetëm të sezonit, duke finalizuar me sukses penalltinë e barazimit provizor 1-1.








