Ndërkombëtarët kërkojnë uljen e tensioneve në Kosovë
Ndërkombëtarët kërkojnë uljen e tensioneve në Kosovë

Aleanca ushtarake e NATO-s i bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të shtensionojnë menjëherë situatën në veri të shtetit, një ditë pas përplasjeve mes Policisë së Kosovës dhe grupeve lokale të serbëve. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovës, KFOR, vlerëson se situata e krijuar “është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe se kjo rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Faktori ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara, dënuan veprimet e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që menjëherë të ulen tensionet. Por, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë lidhur me situatën e krijuar në tri komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pasi hyrja në zyra të komunave e kryetarëve të rinj u kundërshtua nga serbët lokalë. Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se ndërtesat komunale janë të shtetit të Kosovës, prandaj ato, sipas tij, nuk “janë marrë dje dhe nuk do të merren asnjë ditë tjetër”. /Alsat.mk