Ndërrimi i dokumenteve – Sa zgjidhet një problem, vjen tjetri!

Ndërrimi i dokumenteve – Sa zgjidhet një problem, vjen tjetri!

Gazetar: Avni Tahiri

Situata para sporteleve të MPB-së thuajse është normalizuar, vërehen më pak qytetarë që presin për tu pajisur me dokumente, shkruan Alsat.

Por ajo që i shqetëson qytetaret është linja telefonike jo funksionale për të caktuar termin dhe mungesa e ekzemplareve për të marrë në kohë pasaportat dhe dokumentet personale me emrin e ri të shtetit.

Qytetarët që ishin sot para sporteleve të MPB-së, ishin telefonuar nga shërbimet dhe pritnin radhë. Por sipas tyre shqetësues është fakti se për të marr dokumentet pas fotografimit pritjet mund të shkojnë deri në 2 muaj.

“U telefonuan apo kishit termin? Na thirren në telefon, e kishim të caktuar për në maj dhe na thirren dje për sot, për pasaportë, letërnjoftim dhe lejen e vozitjes. A u thanë se sa kohë duhet të pritni për të marrë pasaportën? Për afërsisht 2 muaj, ashtu më thanë”, tha një qytetar.

“Thuan që vetëm me termin të caktuar por si të caktoj termin. Provoj të telefonoj dhe nuk kontaktova askënd ndërsa para asaj kohe prita këtu dhe u ktheva, nuk kam koment”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Nuk munda të caktoj në telefon, i thirri në telefon sepse kam paket me telefonata pa kufij dhe vetëm me harxhon para, thotë ju lutem pritni dhe në fund thotë nuk ka termin. Dhe më pas jap para për telefon”, theksoi një qytetar.

“Për herë të parë jam këtu, për pasaportë, leje të vozitjes dhe letërnjoftim. Duhet të udhëtoni diku? Po, për në Gjermani”, u shpreh një qytetar tjetër.

Ndërkohë Komiteti i Helsinkit thotë se me kaosin e krijuar për pajisje me dokumentet personale po shkelen të drejtat kushtetuese të qytetarëve.

“Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut reagon ashpër ndaj shkeljes së të drejtave themelore të njeriut dhe kërkon që institucionet kompetente të gjejnë zgjidhjet e duhura sa më shpejt dhe të shmangin dëmet që u shkaktojnë qytetarëve. Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme që të riorganizojë menjëherë punën e saj dhe të sigurojë kushte për lëshimin e dokumenteve biometrike të udhëtimit, letërnjoftimeve brenda një afati të arsyeshëm”, thuhet nga Komiteti i Helsinkit.

Deri në skadimin e afatit të dokumenteve me emrin e vjetër të shtetit kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë.

Pas 12 shkurtit letërnjoftimet me emrin e vjetër të shtetit do të jenë të vlefshëm vetëm për përdorim të brendshëm por me to nuk do të mund të udhëtohet jashtë shtetit si në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button