Ndërtimi i Duomos zgjati 6 shekuj
Ndërtimi i Duomos zgjati 6 shekuj
Ndërtimi i Duomos në Milano ka zgjatur 6 shekuj. Kantieri i Katedrales nisi në vitin 1386 me gurin e parë, i gdhendur me datën, dhe përfundoi në vitin 1932, ndërsa në 1965 u inaugurua Porta e Pestë dhe e fundit.
Duomo, simbol i qytetit të Milanos, është Kisha më e madhe në shtetin Italian, duke konsideruar që Shën Pjetri ndodhet në territor të shtetit Vatikan, e gjithashtu e treta në botë. Nisi me dëshirë dhe vullnet të Zotit të Milanos, Gian Galeazzo Visconti, i cili dëshironte diçka madhështore në vend të kishës romake Shën Mëria, në mënyrë që të bënte emrin e tij të përjetshëm.
Por Duomo, kaloi pritshmëritë e ndërtimit, dhe shumë prijës e mbretër vijuan punimet e projektit ndër shekuj, duke ndikuar edhe në klasifikimin e veprës në një rrymë të caktuar, pavarësisht se sot konsiderohet monument Gotik.
Me 3200 skulpturat e saj, 135 majat dhe Madoninën e Artë, për Duomon kontribuan të gjithë ndër breza, duke u bërë një ndër të mirat publike të para, ndërtimi i së cilës u financua nga gjithë qytetarët e Milanos, nga më të varfërit e deri tek më të pasurit.