Ndërtimi i godinave të reja për Fakultetet e Informatikës si dhe të Edukimit Fizik do të vazhdojnë pas 6 vjetësh pauzë
Ndërtimi i godinave të reja për Fakultetet e Informatikës si dhe të Edukimit Fizik do të vazhdojnë pas 6 vjetësh pauzë

Gazetare: Melihate Rustemi
Vitin e ardhshëm pritet të nisin punimet ndërtimore në objektet tashmë të harruara të Fakultetit të Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike dhe Fakultetit të Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit. Kjo do të ndodhë pas një analize të ekspertëve nga një grup pune që me iniciativë të Ministrisë së Arsimit, do të koordinohet nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”.
“Së bashku do të inspektojmë gjendjen fizike të objekteve, do të shqyrtojmë dokumentacionin e disponueshëm të investimeve dhe dokumentacionin teknik dhe do të përcaktojmë mënyrën se si do të vazhdojë ndërtimi në përputhje me nevojat e përdoruesve përfundimtarë. Projekti fillestar arkitektonik ndoshta do të duhet të plotësohet sepse është marrë tashmë një vendim për të ndryshuar përfundimisht fasadën”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Goran Markovski, tha se e pranon këtë detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të gjendjes së dy objekteve.
“Përveç ekspertëve nga Fakulteti i Ndërtimtarisë ky grup pune do të përfshijë edhe kolegë tanë nga fakultete të tjera si Fakulteti i Arkitekturës, Instituti i Inxhinierisë së Tërmeteve, Sizmologjisë Inxhinierike, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe të tjerë, me qëllim përfshirjen e të gjitha njohurive dhe kapaciteteve që kemi për të siguruar ambiente optimale që do t’i shërbejnë Universitetit. Opsioni më i keq është që këto objekte të mbeten në gjendjen e tyre aktuale, për të cilën janë shpenzuar fonde serioze, dhe të përkeqësohen me kalimin e kohës”, tha Goran Markovski, dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë.
Ekipi që do të analizojë gjendjen aktuale të objekteve të nisura dhe do të përcaktojë mënyrën se si do të zhbllokohet dhe do të vazhdojë ndërtimi është baza e memorandumit të nënshkruar nga autoritetet e lartpërmendur. Sipas dikasterit të Arsimit, kontratat të nënshkruara për zbatimin e projekteve në vitin 2015, ndërtimi i FINK-it duhej të kushtonte 784 milionë denarë, por vetëm 14 përqind e punimeve në kontratë janë realizuar dhe paguar. Ndërtimi i Fakultetit të Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit, duhej të kushtonte 432 milionë denarë, ndërsa realizimi i projektit është 16,8 për qind ose janë paguar 73 milionë denarë. Ndërtimi i dy objekteve filloi në vitin 2015 mirëpo u ndërpre në vitin 2019. /Alsat.mk