Dueli mes Atletiko Madrid dhe Real Madridit ka ringjallur një rivalitet shumë të fortë mes dy ekipeve, që ishte lënë pak në hije në vitet e fundit për shkak të Barcelonës. Por fakti se Atletiko është i pari në kryesim, ka nxehur përsëri atmosferën dhe ngjarjet në barazimin 1-1, duke i hapur rrugën shumë diskutimeve. Një prekje më dorë e Felipes në zonë sipas Realit duhej të ishte penallti, por gjyqtari nuk ndryshoi vendimin e tij ndonëse e pa aksionin të përsëritur në “VAR”.

Pas ndeshjes, thuajse të gjithë lojtarët e Realit dhe disa prej drejtuesve u ankuan për atë vendim, por tashmë Atletiko nuk ka ngurruar të përgjigjet me një akuzë të ashpër nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Kritikojnë edhe aksionet e sigurta. Janë mësuar që të kenë gjithmonë erën në favor të tyre”, shkruhej në adresën zyrtare në Tuitter të Atletikos, postim i cili është shoqëruar me një luftë të mirëfilltë mes tifozerive të dy skuadrave në rrjetet sociale për episodin në fjalë.








