Ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë – Janevska premton pranimin e vërejtjeve, Bekim Fetaji paraqet kritikat e Universiteti “Nënë Tereza”

Ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë - Janevska premton pranimin e vërejtjeve, Bekim Fetaji paraqet kritikat e Universiteti “Nënë Tereza”

Gazetare: Melihate Rustemi

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se propozim ligji për arsimin e lartë do të përmirësohet.

Megjithatë, ajo shtoi se do të shqyrtohen vetëm vërejtjet e argumentuara dhe të bazuara, dhe nuk do të pranohen ato që janë nën nivelin e diskutimit akademik.

Ministrja Janevska theksoi se është e kënaqur nga dëgjimi i parë publik në universitetet shtetërore, i cili u mbajt ditë më parë në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, sepse profesorët, siç tha ajo, diskutuan lirshëm mbi nenet e ligjit.

“Pati propozime konstruktive dhe të gjitha ato që ishin konstruktive do të pranohen. Ka edhe gabime teknike në ligj, prandaj bëhen dëgjimet publike, që ato të përmirësohen. Mbeten edhe disa nene për diskutim që do të shqyrtohen më tej. Ligji do të jetë i vendosur në ENER deri në ditën e fundit, të 30-tën, pastaj brenda pak ditësh do të integrojmë të gjitha vërejtjet e marra të cilat grupi i punës i konsideron si të pranueshme”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Por, për rektorin e UNT-së, Bekim Fetaji, problemi qëndron te Këshilli i ri universitar. Në intervistë për Alsat Fetaji tha se ky organ do të ketë fuqi mbi Senatin dhe do të kontrollohet nga njerëz jashtë universitetit.

“Ky organ i ri i cili faktikisht do të bëhet organi më i lartë i universitetit diku mbi 60 % është llogaritur se do të ketë anëtarë nga jashtë, do të thotë vendimmarrjen në universitet do ta ketë tash personat që nuk kanë të bëjnë me universitetin. Në fakt universitetet futen nën mëshirën, direkt nën diskreditetin e ministrit të arsimit, nëse ai dëshiron mund të bëj direkt ndryshimin, ti kthej gjithë nenet e senatit, të ndryshoj anëtarët e senatit. Këshilli universitar I cili, nëse kalon ky ligj si I tillë do të ketë shumë ingerenca mbi të gjithë, edhe ndryshimin e rektorëve të universiteteve pa ndonjë arsyetim, mjafton vetëm me një vendim të thjeshtë”, tha Bekim Fetaji, Rektor i UNT-së.

Debatet publike për Projektligjin e Arsimit të Lartë pritet të vazhdojnë edhe në universitete të tjera shtetërore, ndërsa versioni final i ligjit do të dërgohet në procedurë të mëtutjeshme në fillim të muajit të ardhshëm./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button