Ndryshime të mëdha në kabinetin e Ramës, Balluk dhe Spiropali në mesin e të shkarkuarve
Ndryshime të mëdha në kabinetin e Ramës, Balluk dhe Spiropali në mesin e të shkarkuarve
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë ndryshime të mëdha në kabinetin e tij qeverisës, duke shkarkuar shtatë ministra, përfshirë zëvendëskryeministren dhe ministren e Energjisë, Belinda Balluku, e cila është nën hetime për korrupsion. Në mesin e të shkarkuarve është edhe ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali. Ndryshime u bënë edhe në Ministrinë e Drejtësisë, atë të Brendshme, Marrëdhëniet për Parlamentin, Infrastrukturës dhe Mbrojtjes. Rama e shpalli riorganizimin e thellë të kabinetit qeveritar gjatë mbledhjes së përbashkët të mbajtur mes grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe anëtarëve të qeverisë.
Këtë vendim të Ramës. lideri i Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha e cilësoi si tentim për shpëtimin e lëkurës. Ai i bëri thirrje Ramës të japë dorëheqje.
“Kjo është një lëvizje që fton qytetarët shqiptarë dhe opozitën t’i vazhdojë protestat, sepse kryengritja paqësore shqiptare kërkon shpëtimin e Shqipërisë nga Edi Rama dhe jo kukullat e tij. Me lëvizjen e tij, ai përpiqet t’i mashtrojë njerëzit, në një kohë kur ai vetë është kreu i organizatës kriminale që drejton”, deklaroi Sali Berisha, Kryetar i PD-së.
Ndryshimet e Ramës vijnë pesë muaj pasi u betua Qeveria e re në shtator. Autoritetet shqiptare filluan hetime në fund të vitit të kaluar mbi dyshimet për korrupsion kundër Balluku dhe zyrtarëve të tjerë. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar-SPAK ngriti aktakuzë kundër Ballukut tetorin e kaluar dhe i ka kërkuar Kuvendit t’ia heqë imunitetin në mënyrë që të jetë në gjendje ta arrestojë atë. Balluku akuzohet se ka bërë shkelje gjatë dhënies së tenderëve, po ajo i ka mohuar akuzat si “hedhje balte, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”. Hetimet për korrupsion nxitën protesta kundër Qeverisë së Ramës të cilat në raste janë përshkallëzuar në përleshje mes protestuesve dhe oficerëve të Policisë në Tiranë. /Alsat.mk








