Ndryshimet Kushtetuese, Fronti Opozitar me tri kërkesa

Ndryshimet Kushtetuese, Fronti Opozitar me tri kërkesa

Një ditë përpara seancës për nevojën e hapjes së Kushtetutës, i ashtuquajturi Front opozitar i drejtohet me kërkesa shumicës. Izet Mexhiti, Bilalll Kasami e Afrim Gashi bëjnë thirrje për miratim të nevojës për ndryshimet kushtetuese pa zvarritje të mëtejshme, heqjen e 20 përqindëshit dhe amendamentin për luftën kundër korrupsionit. Në emër të Besës, Lëvizjes Demokratike dhe Alternativës, Afrim Gashi tha se këto tri parti opozitare nuk kanë luhatje në drejtim të integrimit, por dyshojnë në sinqeritetin e pushtetit për të përfunduar procesin.

“Kërkojmë nga kryetari i Kuvendit që urgjentisht ta hedhë në votim nevojën për ndryshimin e Kushtetutës që ta kalojmë fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese dhe të futemi në procesin përmbajtësor të këtyre ndryshimeve. Pas kësaj i bëjmë thirrje atij që të mos fshihet pas arsyetimeve të pabaza, por t’i vë në procedurë edhe amendamentet për heqjen e emërtimit ofendues 20 për qind për gjuhën shqipe si dhe amendamentin kundër vjetrimit të lëndëve të korrupsionit politik. Kohezioni ndëretnik dhe lufta kundër korrupsionit janë poashtu parime dhe vlera evropiane sa edhe detyrimi për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore në mos edhe më shumë,” deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

Sipas Mexhiti, Kasamit dhe Gashit në momentin që shumica nuk i ka numrat për të miratuar nevojën për ndryshimet kushtetuese, atëherë deputetët duhet të votojnë për shpërbërjen e Kuvendit dhe caktimin e zgjedhjeve të parakohshme.

“Nëse në plan afatshkurtër nuk sigurohet shumica e nevojshme për fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese do të jetë e qartë se kjo përbërje parlamentare nuk ka kapacitet që t’i zhbllokojë negociatat për integrim në BE. Nëse del se kjo është e vërtetë ne nuk duhet të humbim asnjë moment. Në atë rast, nëse nuk ka shumicë të mjaftueshme për të miratuar fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese bëjmë thirrje që të votojmë për shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në mënyrë që të kërkohet një përbërje tjetër parlamentare që do të ketë kapacitet dhe vullnet politik që t’i shtyjë proceset integruese drejt Bashkimit Evropian,” tha Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

I ashtuquajtur Front opozitar theksoi se do të vazhdojnë betejën me ata që e pengojnë rrugën drejt BE-së përmes zvarritjeve siç bën pushteti, ose duke aktruar refuzim siç veprojnë disa parti opozitare. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button