Ndryshimet kushtetuese, ministria e Drejtësisë nuk publikon listën e ekspertëve

Ndryshimet kushtetuese, ministria e Drejtësisë nuk publikon listën e ekspertëve

Gazetar: Lluka Andreev

LSDM nuk ka përgjigje konkrete nëse mbështet zëvendësimin e fjalës “gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve” me termin “gjuha shqipe”, pasi partneri i koalicionit Aleanca për Shqiptarët propozoi që kjo temë të shqyrtohet në grupin punues të sapoformuar për ndryshimet kushtetuese. ASH paraprakisht u bëri thirrje të gjitha partive që të marrin pjesë në grupin e punës të Ministrisë së Drejtësisë dhe siç thonë ata të korrigjojnë padrejtësinë rreth emërtimit të gjuhës. BDI-ja theksoi se do të japë mbështetje, por thonë se duhet pasur kujdes me këtë çështje, që të mos përdoret si alibi gjatë procesit të votimit të ndryshimeve kushtetuese. Qëndrim të ngjashëm me BDI-në kanë edhe socialdemokratët, të cilët thonë se në këtë moment prioritet i vetëm është futja e komuniteteve.

“Ne jemi të hapur për të diskutuar të gjitha çështjet, por prioritet i rëndësishëm janë ndryshimet kushtetuese në fushën e futjes së bullgarëve, malazezëve dhe kroatëve, sepse është e rëndësishme, është parakusht për vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian”, deklaroi Darko Kaevski, deputet i LSDM-së.

Paraprakisht, mbështetje për ndryshimin e formulimit kishte edhe presidenti Stevo Pendarovski, sipas të cilit identiteti etnik nuk duhet të fshihet pas numrave. Për momentin është e pasigurt nëse tema do të jetë në tryezën e ekspertëve që do t’i hartojnë ndryshimet kushtetuese. Edhe pse u paralajmëruar për në fund të javës së kaluar, nga Ministria e Drejtësisë e drejtuar nga Krenar Lloga nga Aleanca për Shqiptarët, thonë se nesër do të publikojnë emrat e ekspertëve të së drejtës kushtetuese që janë ftuar të marrin pjesë. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se për momentin është herët për takimin e parë, pasi grupi i punës ende nuk është kompletuar. Janë publikuar vetëm emrat e ekspertëve të propozuar nga partitë parlamentare edhe atë vetëm nga koalicioni qeverisës, pasi asnjë parti opozitare nuk ka vendosur të marrë pjesë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button