Ndryshimet kushtetuese, VMRO-DPMNE-ja akoma pa përfaqësues

Ndryshimet kushtetuese, VMRO-DPMNE-ja akoma pa përfaqësues

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kanë mbetur edhe katër ditë deri në kompletimin e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese por shkurtimi i afateve nuk ka ndikuar që VMRO-DPMNE-ja të ndryshojë qëndrim për mospjesëmarrje. Ministria e Drejtësisë do të presë partitë parlamentare që deri më 10 prill të caktojnë përfaqësuesit e tyre politik kurse në këtë grup janë ftuar dhe ekspertë të Kushtetutës.

Presidenti Stevo Pendarovski e ka cilësuar si skandaloze kërkesën e Sofjes që të jetë edhe ajo pjesë e grupeve të punës për ndryshimet kushtetuese në vendin tonë.

“Kërkesa e Sofjes është skandaloze. Kërkesa të tilla nuk bëjnë as okupatorët ndaj vendeve, territoreve ose shteteve që okupojnë. Në shekullin 21 është shembull absurd të kërkoni të përziheni në proceset e brendshme politike dhe kushtetute-ligjore të cilitdo shtet. Dhe mendoj se në këtë kuptim përgjigja jonë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme mbrëmë ishte me vend”, tha Stevo Pendarovski, President.

Reagim i Presidentit erdhi pasi ministri i Jashtëm bullgar Nikollaj Millkov ka thënë se Bullgaria do të donte të përfshihet dhe të konsultohet rreth procedurës për futjen e bullgarëve në Kushtetutën e vendit.

Sofja zyrtare tashmë e ka marrë përgjigjen negative nga institucionet vendase; nuk ka vend në grupin e punës për ndryshim të Kushtetutës. Këtë e konfirmoi dhe kryeministri Kovaçevski.

“Tashmë i kemi informuar se procesi i ndryshimeve kushtetuese paraqet çështje të brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila është e lidhur si detyrim me negociatat e anëtarësimit. Ky vendim është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë, e partive politike dhe e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut prandaj nuk ekziston as mundësi, as vullnet politik dhe as mënyrë që dikush tjetër nga jashtë të kyçet në këtë proces”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Ndërkohë, në takim me shefin e misionit të OSBE-së Kilian Vall, kreu i BDI-së Ali Ahmeti e ka njoftuar atë që koalicioni qeverisës ka nisur përgatitjet për ndryshimet kushtetuese dhe ka hartuar plan për realizimin e tyre. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button