Ndryshimi klimatik po ia ndryshon shijen çajit

Filxhani me çaj në mëngjes nuk do ta ketë shijen e njëjtë, nëse rritet ngrohja globale dhe ngrihet kriza klimatike, thuhet në një studim.

Disa prej zonave më të mëdha të kultivimit të çajit do të jenë në mesin e vendeve më të goditura nga moti i jashtëzakonshëm dhe rendimentet e tyre ka gjasa që të zvogëlohen shumë gjatë dekadave në vijim, nëse vazhdohet me të njëjtin ritëm klimatik. Vërshimet, thatësirat, valat e të nxehtit dhe stuhitë me gjasë do të kenë ndikim të madh në hapësirat e kultivimit të çajit në tërë botën, thuhet në një raport të organizatës “Christian Aid”.

Në Keni, ku prodhohet pothuajse gjysma e tërë çajit që konsumohet në Mbretërinë e Bashkuar, hapësira me kushte optimale për kultivim të çajit do të zvogëlohet për më shumë se një çerek deri në vitin 2050, kurse 39 për qind e hapësirave me kushte të cilësisë së mesme po përballen me shkatërrim.

Sidoqoftë, edhe para se të shkatërrohen plantacionet e çajit, konsumuesit mund të vërejnë ndryshime në shije: ndikimet e vërshimeve dhe parashikimet për reshje në shumë rajone të çajit do t’i ndryshojnë shijet e gjetheve të çajit- dhe potencialisht do t’i ulin përfitimet që i merr organizmi i njeriut.

Ngopja e tokës me ujë mund t’i parandalojë sinjalet ekologjike që ndikojnë që bima të lëshojë kimikate, që e shtojnë aromën e çajit dhe që krijojnë vetitë antioksiduese, të vlerësuara si një përfitim i mundshëm shëndetësor nga konsumuesit. Këto përbërje aromatike, të quajtura metabolite dytësore – të cilat gjithashtu mund të ndihmojnë në rritjen e sistemit imunitar dhe kanë veti antiinflamatore – dobësohen kur bima thith shumë ujë, duke shkaktuar që gjethet të kenë cilësi më të ulët dhe çaji të mos jetë aq i shijshëm.

Edhe hapësirat e kultivimit të çajit në Indi, Kinë dhe Sri-Lankë ka gjasa që të preken nga ky fenomen, sipas këtij raporti. Industria e çajit është kryesorja për vende pune, pasi më shumë 3 milionë njerëz janë të punësuar në këtë sektor vetëm në Afrikë, por bujqit e intervistuar për studim kanë raportuar se shumë të rinj janë duke kërkuar alternativa për plantacione të çajit, të shqetësuar për të ardhmen.

LEXO EDHE:

Back to top button