Në Gjykatën Penale është dënuar ish-ministri Mile Janakieski për rastin “Toplik”
Në Gjykatën Penale është dënuar ish-ministri Mile Janakieski për rastin “Toplik”
Gazetar: Igor Stefanovski
Edhe tre vjet e gjysmë burg në dosjen e ish-ministrit të Transportit, Mile Janakieski. Ai u dënua nga Gjykata Penale për rastin “Toplik”, i cili u hap nga ish Prokuroria Speciale për shitjen e parcelave për ndërtimin e vendbanimit “Qyteti i diellit” në Sopishtë, shkruan Alsat.
Edhe pse Janakieski ka marrë raport nga Komisioni për tender publik në Ministrinë e Transportit se nuk janë plotësuar kushtet për shpalljen e tenderit, ai megjithatë e ka injoruar dhe e ka formuar Komisionin e ri.
https://youtu.be/8P9uJ9G-zmE
Ai kërkoi që të shpallte procedurë për tender publik për 603 parcela ndërtimore shtetërore.
“… Me këtë sjellje i pandehuri tregoi qëndrimin se si funksionar është mbi ligjin, gjë që shkatërroi themelet e shtetit ligjor dhe shkatërroi besimin e qytetarëve tek institucionet dhe Qeveria”, tha Osman Shabani, gjykatës.
Ish-kryetari i Komisionit të dytë të ofertave publike, Tome Gjurçilov është dënuar me tre vjet burg. Katër të pandehurit e tjerë, të cilët ishin anëtarë të të njëjtit komision, morën dënime me kusht.
“….Të akuzuarit e kanë ditur dhe është dashur ta dinë se sjellja e tyre është në kundërshtim me ligjin dhe është dashur të denoncojnë abuzimin. Por është e qartë se për shkak të hierarkisë, kanë pasur frikë, andaj kanë vepruar sipas kërkesës verbale të ministrit”, u shpreh Osman Shabani- gjykatës.
Prokuroria do të ankimojë një nga vendimet.
“Me siguri mund të ankohem për një nga të akuzuarit, për të cilin nuk jam i kënaqur me dënimin. Dhe ky është personi Dimitar Dimovski…”, theksoi Burim Rustemi- prokuror.
Mbrojtja paralajmëron ankesa para Apelit.
“Sot gjyqësori i Maqedonisë e pa se si një rast i caktuar me udhëzime të caktuara, të shprehem më thjeshtë, përfundimisht mund të arrihet me vendim për gjykim”, tha Pançe Toshkovski- avokat i Dimitar Dimovskit.
Janakieski, kryetar i Komisionit për oferta publike dhe anëtarët e tij janë akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Të njëjtit e kanë dëmtuar buxhetin me rreth një milion euro./ Alsat.mk








