Në Lindje asgjë e re, Bullgaria përpara zgjedhjeve të reja
Në Lindje asgjë e re, Bullgaria përpara zgjedhjeve të reja

Gazetar: Lluka Andreev
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Bullgari do të mbahen përsëri këtë vit. Vanja Petrova nga InstitutitBullgar për Studime Demokratike thotë se ekziston mundësia që tani të formohet një qeveri politike, por afati i saj do të jetë i shkurtër. Megjithëse u ulën në të njëjtën tryezë duke shpresuar për një koalicion pro-evropian, Petrova thotë se ka ende një kundërshtim të madh ndërmjet ish-kryeministrave Bojko Borisov dhe Kiril Petkov, partitë e të cilëve fituan pothuajse të njëjtin numër votash në zgjedhjet e fundit.
“Sipas mendimit tim, shanset janë shumë të kufizuara dhe tashmë mund të shihet nga paraqitjet publike se partitë politike po hyjnë përsëri në fushatë zgjedhore, dhe kanë filluar të përdorin narrativa parazgjedhore. Ata vënë pak a shumë fokusin në zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen në vjeshtë, kështu që ne ndoshta do të kemi zgjedhje parlamentare dhe lokale”, tha Vania Petrova – Instituti për Studime Demokratike.
Petrova thotë se zgjedhjet e reja të mundshme nuk do të çojnë në një rezultat të ndryshëm në ndarjen e vendeve parlamentare, përveç rritjes së mundshme të votave për partinë pro-ruse “Prerodba”, të udhëhequr nga politikani i kontrovers Kostadin Kostadinov. Ndërkohë, sipas Petrovës, Bullgaria po shkon gjithnjë e më shumë drejt një “republike presidenciale”, duke pasur parasysh faktin se deri sa të formohet një qeveri politike, kryeministri dhe ministrat emërohen nga kreu i shtetit Rumen Radev.
“Dy vitet e fundit, ne kemi qenë si një” republikë presidenciale “, sepse në një farë mënyre Rumen Radev në mënyrë arbitrare bën një qeveri, e cila në asnjë mënyrë nuk është normale dhe në përputhje me Kushtetutën”, deklaroi Vania Petrova – Instituti për Studime Demokratike.
Partia me më shumë vota, GERB, e kryesuar nga Bojko Borisov, ka njoftuar se do të propozojë një qeveri të kryesuar nga politikania bullgare dhe komisionerja e fundit evropiane për inovacionin, Maria Gabriel. Megjithatë, është e pasigurt nëse do të merr mbështetje nga shumica në parlament, veçanërisht nga partia e Kiril Petkov. Anketat e fundit tregojnë se 28% e qytetarëve mbështesin koalicionin Borisov-Petkov, 22.8% janë në favor të zgjedhjeve të reja dhe pothuajse 30% nuk mund të përgjigjen se cila do të ishte mënyra më e mirë për të dalë nga situata. Përveç shtatë muajve me një qeveri të kryesuar nga Kiril Petkov, Bullgaria nuk mund të formojë për të paktën dy vjet një shumicë solide në parlament. /Alsat.mk