Në mesnatë skadon afati për regjistrimin e kandidatëve të pavarur

Sonte në mesnatë përfundon afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët e pavarur për kryetar komunash dhe për listat e pavarura për këshillat komunal. Nga KSHZ-ja, njoftojnë se deri në drekë 21 kandidatë të pavarur kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme, ndërsa deri në mesnatë përpjekjen e fundit do ta bëjnë edhe 15 kandidatë të tjerë. Për Listat për këshilltarë të pavarur, nënshkrimet i kanë siguruar 42 lista, ndërsa në përpjekje deri në mesnatë janë edhe 26 lista të tjera. Garë pritet të jetë e ashpër për Qytetin e Shkupit, ku për momentin janë gjashtë kandidatë dhe atë kryetari aktual i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, i cili rikandidohet nga LSDM, Danella Arsovska e mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe ASH-AAA, Ana Petroska nga koalicioni i aktivistëve “Qyteti human i gjelbër”. Artisti Petar Georgievski Kamikaza, kandidon si i pavarur por mbështetet nga partia “E Majta”, Advokati Aleksandar Tortevski kandidat i partisë “E jotja” dhe ish deputeti i PRSD-së Lubomir Josifovski i cili garon si i pavarur.

 Gara për Qytetin e Shkupit

Edhe pse s’ka filluar zyrtarisht fushata parazgjedhore, filluan akuzat dhe kundër akuzat mes kandidatëve. Duke komentuar mbështetjen e VMRO-DPMNE-së për Danela Arsovska, Petre Shilegov akuzoi atë se turpërohet të dalë si kandidate e VMRO-DPMNE-së.

“Unë fillimisht nuk e di pse kandidatja turpërohet të pranojë se është nga VMRO-DPMNE. A turpërohet të tregojë që është nga ajo parti? E dyta, pse i nënçmojnë shkupjanet? Në çdo rast, keqpërdorimi i të ashtuquajturve kandidatë të pavarur në këtë fushatë, seriozisht mund ta luhat aktivizimin qytetar, për shkak se për zhvillim të shoqërisë, për aktivizim të demokracisë, duhet aktivitet i madh i shoqërisë përmes sektorit joqeveritar.”- tha Petre Shilegov, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Ndërsa nga VMRO-DPMNE, u kundërpërgjigjën se Danella Arsovska është menaxhere e suksesshme, ndërsa Shilegovin e konsiderojnë humbës.

 VMRO-DPMNE

“Arsovska është grua e cila është e respektuar në bashkësinë e biznesit, e cila pas vetes ka numër të madh të projekteve dhe punë të përfunduara. Shilegovi pas vetes ka premtime boshe dhe 20% realizim të programit. Asnjë nga investimet kapitale të premtuara nga Shilegov as nuk ka filluar. Nuk ka vazhdim të bulevardit ‘Ilinden’, nuk ka tunel nën kala”.

E majta zyrtarizoi mbështetjen e kandidaturës së artistit Petar Georgievski Kamikaza. Në paraqitjen e tij, Georgievski tha se ende nuk e din se sa do të ketë kapacitet për investime në qytetin e Shkupit.

“Projekte kapitale do të përmendim kur do ta dimë se çfarë buxheti kemi në dispozicion. Informatat tona janë se buxheti në përgjithësi është harxhuar për këtë vit.”- tha Petar Georgievski Kamikaza, kandidat për Qytetin e Shkupit.

Afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave partiake në KSHZ është deri më 11 shtator.

 

LEXO EDHE:

Back to top button