Në Pakistan mbahen zgjedhjet parlamentare, 650 mijë forca të angazhuara për sigurinë
Në Pakistan mbahen zgjedhjet parlamentare, 650 mijë forca të angazhuara për sigurinë

Pakistanezët votojnë për zgjedhjet parlamentare, në një kohë kur dhuna është duke u rritur, së bashku me telashet ekonomike dhe politike. Votimi, i cili filloi në orën 8 të mëngjesit, po mbahet një ditë pasi së paku 30 njerëz u vranë nga dy shpërthime të ndërlidhura me zgjedhjet në jugperëndim të Pakistanit dhe në një kohë kur inflacioni ka arritur gati në 30 për qind dhe ish-kryeministri, Imran Khan, politikani më i njohur në vend, është në burg. Më shumë se 650.000 ushtarë, policë dhe paramilitarë janë duke ofruar siguri në vend gjatë këtyre zgjedhjeve. Ministria e Jashtme tha se kufijtë me Iranin dhe Afganistanin janë mbyllur dhe se shërbimet telefonike në zonat kufitare janë ndalur, për çështje sigurie.
“Ne po përballemi me probleme me internetin, është e vështirë të thërrasim votuesit tanë, disa njerëz po vijnë për të votuar. Nuk prisnim një pezullim të shërbimeve celulare dhe të internetit. Ne kërkojmë që interneti të rikthehet menjëherë”, tha Muhamed Salem, punëtor lokal i partisë.
“Ne duam që kushdo që fiton të punojë për zhvillimin e vendit tonë, për mirëqenien e popullit të vendit”, deklaroi Mumtaz Bhati, banor.
Anketuesit kanë parashikuar një dalje të vogël në zgjedhje në vendin ku 128 milionë njerëz kanë të drejtë vote, për shkak të pengimit të partisë së Khanit dhe dy shpërthimeve të mërkurën, të cilat ndodhën pranë zyrave të kandidatëve. Gati 18.000 kandidatë po garojnë për ulëse në parlamentin nacional dhe për katër asamble provinciale. /Alsat.mk