Në prag të takimit të Ohrit, ndërkombëtarët shtojnë mesazhet e tyre drejt Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshje

Në prag të takimit të Ohrit, ndërkombëtarët shtojnë mesazhet e tyre drejt Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshje

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Franca, Gjermania dhe Italia kanë dalë me deklaratë të përbashkët para takimit të 18 marsit në Ohër mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Këshilltarët specialë për politikën e jashtme dhe sigurinë të presidentit francez, kancelarit gjerman, dhe kryeministres italiane, kanë dalë me një Op-Ed të përbashkët, në të cilën kanë potencuar se është koha për vendimmarrje. Aty thuhet se marrëveshja tani duhet të vihet në jetë sa më shpejt të jetë e mundur nga një udhërrëfyes i qartë për zbatimin.

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se do të dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të arrihej këtë vit.

“Mendoj që një gjë e tillë është plotësisht e mundur. Kjo marrëveshje nuk është diçka për t’u frikësuar. Shpresojmë se nuk do të ndryshojë rrënjësisht jetën e askujt, por se do të mundësojë një nivel të caktuar stabiliteti dhe paqeje për njerëzit në rajon. Synimi i saj nuk është të krijojë pengesa të reja. E kundërta. Ne dëshirojmë që kjo marrëveshje të jetë e mirë jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por sepse Serbia dhe Kosova janë në zemër të Ballkanit Perëndimor, për të krijuar mundësi edhe për fqinjët tuaj”, u shpreh Gabriel Eskobar, i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Escobar po ashtu tha se Asociacioni është një marrëveshje ekzistuese dhe një detyrim ndërkombëtar që duhet të zbatohet, “pavarësisht a do të ketë një marrëveshje të re apo jo”.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell gjatë qëndrimit në Tiranë ka thënë se pret që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të vijnë në Ohër, për t’u pajtuar rreth zbatimit të planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai tha se në rast se palët pajtohen, do të bëhej një hap jashtëzakonisht i madh i Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE.

“Rreth dialogut Prishtinë-Beograd, me datën 27 shkurt, patëm takim të nivelit të lartë në Bruksel. Të dy, Kurti dhe Vuçiq, ranë dakord që nuk do të ketë diskutime të mëtutjeshme për propozimin e BE-së që do të thotë se teksti i kësaj marrëveshje është e mbyllur. Por, çështja është se si dhe kur do të zbatohet kjo marrëveshje sepse ka pasur marrëveshje në të kaluarën që nuk janë zbatuar dhe kjo nuk mund të ndodh tani. Zbatimi është një shtojcë që është pjesë përbërëse e vetë marrëveshjes që do të detyrojë palët të sigurohen sa i përket afateve dhe modaliteteve. Është një marrëveshje që i përafron Kosovën dhe Serbinë, i vë në një bazë më të qëndrueshme dhe siguron se do të vazhdojë dialogu drejt normalizimit të plotë”, deklaroi Zhozef Borell, Përfaqësues i lartë i BE-së.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është gjëja më e mirë që mund të ndodh.

“Unë dua të besoj me gjithë zemër se asnjëra palë nuk do t’ia lejojë vetës të mos e përqafojë plotësisht dokumentin dhe programin e implementimit të tij sepse realisht BE-ja dhe ShBA-ja iu kanë ofruar palëve dhe rajonit një rrugë të re. Një portë të hapur të së ardhmes me paqe dhe një kohë tjetër të nevojshme për të arritur në pikën përfundimtare të njohjes reciproke”, u shpreh Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Në takimin e Ohrit më 18 mars, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të bllokut evropian, pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button