Në Shqipëri edhe sot protestohet në disa qytete kundër rritjes së çmimeve të karburanteve
Në Shqipëri edhe sot protestohet në disa qytete kundër rritjes së çmimeve të karburanteve
Gazetar: Adrian Kerimi
Në Shqipëri protestohet në disa qytete në shenjë revolte pas rritjes enorme të çmimeve të karburanteve dhe produkteve ushqimore bazë. Paraditen e sotme u bllokua autostrada Lushnjë-Fier.
Në protestë morën pjesë edhe bujqit të cilët u ankuan për rritjen e çmimeve të plehrave kimik, gjë e cila sipas tyre pamundëson kultivimin e produkteve bujqësore.
Në Korçë studentët dhe qytetarët u përplasën me policinë. Në mesin e turmës e cila u ballafaqua fizikisht me forcat e rendit ishte edhe deputeti demokrat Edmond Spaho.
Pasdite protestohet në Tiranë. Protestave dy ditore përballë kryeministrisë i bashkëngjiten edhe studentët. Ndërkohë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka takuar gjatë ditës furnizuesit e naftës.
I pari i Qeverisë shqiptare ka nisur procedurat për formimin e Bordit Kombëtar për Administrimin e Karburantit, trup i cili do të sjell vendime për kufizimin e furnizimit dhe ngrirjen e marzhës së fitimit.
“Nuk do të ketë asnjë tabelë në asnjë pikë karburanti ku do të shfaqet një çmim i cili nuk është miratuar nga bordi. Nëse dikush ë bën këtë, do ta humbasë pikën e karburantit”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku tha se nga e shtuna do të nisë kontrolli i përforcuar i rezerva të sigurisë nëpër rafineritë e naftës.
“Rafineritë e naftës dhe Shoqëritë e tregtimin me shumicë janë të detyruar të mbajnë rezerva sigurie. Këshilli ministrave përcakton kategoritë e naftës dhe nënprodukteve të saj të cilat duhet mbahen në rezervat e sigurisë brenda vendit”, u shpreh Belinda Balluku, Ministre e Energjisë.
Në protestat e dy ditëve të fundit në Tiranë, policia ka arrestuar rreth 50 persona për prishje të rendit publik, ndërsa Drejtoria e Policisë njofton se dhjetëra të tjerë janë nën hetim./ Alsat.mk








