Në Shqipëri sot po mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare

Shqipëria sot voton. Në zgjedhjet për përbërjen e re parlamentare prej 140 deputetësh, të drejtë vote kanë afër 3.6 milion qytetarë. Votimi zhvillohet në 5.199 qendra, ndërsa për herë të parë të drejtën e votës e kanë mbi 107 mijë qytetarë. Në garë janë 12 subjekte politike. Njëherësh ky proces është procesi parë zgjedhorë me identifikim elektronik të votuesve. Zgjedhjet po mbahen pas një fushate elektorale të përcjell me përplasje të ashpra mes partive politike dhe incidente siç ishte ai në Elbasan ku u vra një aktivist i Partisë Socialiste. Liderë politik gjatë ushtrimit të drejtës së votës bën thirrje për maturi dhe proces demokratik. Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje qytetarëve të votojnë pa ndikime dhe për Shqipërinë që duan nesër.
Sot është dita që të mos e ushqejmë asnjë ndjenjë negative ndaj askujt që me votën e vet shpreh një opinion tjetër. Mos të harrojmë sot dhe asnjëherë që jemi një familje e madhe në të njëjtin atdhe – deklaroi Edi Rama, Kryeministër.
Kreu demokrati, Lulzim Basha kërkoi nga qytetarët që masivisht të dalin në votim për të sjell ndryshimin për veten dhe familjet e tyre.
Është dita kur të gjithë ne kemi fuqinë në dorën tonë. Të gjithë shqiptarët kanë fuqinë në dorën e tyre. Të gjithë ju keni në duar fuqinë tuaj, për fëmijët, familjet, vendin dhe kombin. Sot është dita të dilni dhe votoni masivisht – tha Lulzim Basha, Kryetar i PD-së.
Presidenti Ilir Meta nga qendra e votimit i bëri thirrje qytetarëve ta bëjnë këtë proces historik, duke mos harruar thirrjet për policinë e shtetit që të jenë syhapur në mbrojtjen e procesit demokratik.
I ftoj të gjithë të votojnë për alternativën që ata duan, të lirë, larg çdo lloj presioni, tek alternativa që ata duan kanë një mundësi të shkëlqyer që të japin preferencën e tyre për kandidatin apo kandidaten që besojnë më shumë. Kam një shpresë se pjesëmarrja do të jetë historike – u shpreh Ilir Meta, President i Shqipërisë.
Procesi zgjedhor deri në këto çaste po rrjedh pa probleme. Gjatë hapjes së vendvotimeve janë regjistruar kryesisht pengesa teknike, ndërsa Policia e shtetit nuk ka njoftuar për prishje të rendit ose ndërprerje të votimit. Fluks më i madh i daljes në votime është regjistruar mes orës 11 deri ora 15, kryesisht në qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi dhe Vlora. Interesimi i madh i votuesve bëri që në Kavajë një çift para ceremonisë martesore fillimisht t’i drejtohen kutive të votimit.
Adrian Kerimi