Në Ukrainë kanë vazhduar luftimet në shumë zona ku janë regjistruar viktima dhe shumë shkatërrime

Në Ukrainë kanë vazhduar luftimet në shumë zona ku janë regjistruar viktima dhe shumë shkatërrime

Gazetar: Isuf Kadriu

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje ushtarëve rusë që të largohen nga vendi i tij ndërsa paralajmëroi do të përgjigjen për çdo humbje jete të fëmijëve dhe të vrarëve tjerë në Ukrainë, shkruan Alsat.

Zelensky tha se rezistenca prej dy javësh e Ukrainës ndaj forcave pushtuese ruse tregon qartë vendosmërinë për të qëndruar deri në fund në mbrojtjen e atdheut.

“Rezistenca jonë për gati dy javë ju tregoi se ne nuk do të dorëzohemi, sepse kjo është shtëpia jonë, janë familjet dhe fëmijët tanë. Ne do të luftojmë derisa të fitojmë tokën tonë. Derisa të përgjigjemi plotësisht për të vrarët tanë, për fëmijët tanë të vrarë. Ende mund të shpëtoni veten nëse shkoni ne shtëpi. Mos u besoni komandanteve tuaj qe thonë se keni akoma shanse ne Ukrainë. Këtu nuk ju pret asgjë veç burgut dhe vdekjes. Ju po na merrni jetën dhe do paguani me jetët tuajat. Ne e dimë, kemi përgjime që komandantët tuaj e kuptojnë mirë gjithçka, duhet t’i jepet fund kësaj lufte, duhet të kthehet në paqe”, tha Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës.

Ndërkohë, ministria e Mbrojtjes e Rusisë shpërndau sot pamjet e kolonave të blinduara dhe helikopterët sulmues në veprim në Ukrainë. Mjetet e blinduara lëvizin me mbishkrimin “njësitë e forcave të armatosura ruse vazhdojnë të përparojnë drejt destinacioneve të tyre, duke bllokuar dhe marrë nën kontroll zonat e mbajtura nga nacionalistët e mbrojtjes territoriale gjatë rrjedhës së operacionit ushtarak special në Ukrainë”. Është publikuar edhe një video me helikopterët ushtarak rus duke goditur automjetet e blinduara të Forcat e Armatosura të Ukrainës

Në shënjestër të sulmeve ka qenë një objekt fetar në Zhaporzhia që është rrafshuar me tokë.

Në Zhytomyr është njoftuar për 9 civilë të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur.

Derisa luftimet vazhdojnë, Bashkimi Evropian është pajtuar për të zgjeruar rundin e tretë të sanksioneve që i janë vendosur Rusisë, për të shënjestruar një numër më të madh të oligarkëve dhe zyrtarëve të afërt me presidentin rus, Vladimir Putin, për shkak të sulmit të paprovokuar të Moskës ndaj Ukrainës.

Rundi i tretë i sanksioneve ndaj Rusisë, njëherësh pakoja më e madhe e bllokut evropian me sanksione prej nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt, përfshin ngrirje të aseteve të Bankës Qendrore të Rusisë në BE, si dhe ndalesë ndaj mediave të Kremlinit në bllok. Sipas Presidencës franceze, sanksionet synojnë të përjashtojnë edhe tri banka bjelloruse nga sistemi financiar i pagesave, SWIFT, të sqarojnë çështjen e kriptovalutave dhe të ofrojnë një listë të mallrave që nuk mund të shiten mes Rusisë dhe BE-së./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button