Negociatat e SASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit përfunduan pa epilog konkret
Negociatat e SASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit përfunduan pa epilog konkret
Gazetare: Melihate Rustemi
SASHK-u dhe Ministria e Arsimit kanë përafruar qëndrimet për rritjen e pagave në arsim dhe kopshte por nuk ka epilog konkret, shkruan Alsat.
Kreu i sindikatës, Jakim Nedellkov tha se fjala e fundit i mbetet Ministrisë së Financave e cila duhet të zbuloj shumën e fondeve shtesë që mund të sigurohen nga ky dikaster.
“Dëshirojmë të jemi optimist megjithatë nuk varet vetëm prej nesh, negociatorëve, përfundimisht varet nga Ministria e Financave, sa fonde shtesë mund të ndajë. Mirëpo, sërish kemi disa nuanca të mendimeve për rritje shtesë të përqindjes për 12 %, megjithatë kur dhe për sa. Janë detaje të cilat akoma po i konfirmojmë ndërsa fatkeqësisht as ministri nuk mund të dal me qëndrim zyrtar sepse akoma nuk ka informacionet e sakta nga Ministria e Financave”, tha Jakim Nedellkov, kryetar I SASHK-ut..
Gjithashtu, Nedellkov tha se marrëveshja paqësore me ndërmjetësues mes SASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit mund të rrezikohet nëse nuk paguhen mëditjet e punonjësve që ishin në grevë.
“Kemi dorëzuar kërkesë dhe iniciativë te Ministria e Arsimit dhe Shkencës për pagesë të mëditjeve në bazë të Marrëveshjes kolektive, kemi bazë për të dhe mund të themi se jemi të sigurt se do të paguhen në fushën e arsimit. Fatkeqësisht, kemi problem me punën dhe politikën sociale, me mbrojtjen e fëmijëve. Vërtet kemi problem serioz ku deri më sot nuk kemi asnjë sinjal se do të paguhen mëditjet. Gjithashtu, mund të jetë problem serioz për prishjen e procesit të negociatave”, deklaroi Jakim Nedellkov, kryetar I SASHK-ut.
Edhe në këtë takim, përfundimi i vitit shkollor në kohë nuk u diskutua. Të dielën përfundon afati i parë 10 ditor i negociatave. Nëse deri atëherë nuk ka epilog konkret, aktivizohet afati tjetër 10 ditor për zgjidhje. /Alsat.mk








