Nënkalime të caktuara në Shkup mbeten të rrezikuara nga reshjet e dendura
Gazetare: Melihate Rustemi
Disa nënkalime në qytetin e Shkupit do të vazhdojnë të mbeten pika kritike sa herë që ka reshje të dendura shiu, për shkak të kapacitetit të kufizuar të kolektorëve të ujërave atmosferikë në këto zona. Një nga pikat më problematike është nënkalimi në Komunën Gazi Babë, i cili edhe gjatë reshjeve të djeshme u përball me grumbullim të madh uji dhe u bë përkohësisht i pakalueshëm. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, tha se në disa pika kritike mund të ndërhyhet dhe të përmirësohet situata, por në raste si ai në Gazi Babë, kapaciteti i kolektorëve mbetet kufizim teknik.
“Në disa prej pikave kritike mund të ndikojmë dhe ta përmirësojmë gjendjen mirëpo duke marrë parasysh pjesën e East Gate, kolektori atje ka një kapacitet të tillë. Aty ku do të kemi mundësi do të veprojmë, ndërsa aty ku nuk do të mundemi, në raste të caktuara si te East Gate, do të hyjmë gjithmonë të përgatitur në proces me mekanizim, me qëllim që i gjithë segmenti të përfundojë brenda 15–20 minutash. Tashmë kemi filluar me ndërtimin te Limak. Faza e parë është përfunduar, ndërsa këto ditë po fillojmë fazën e dytë, përkatësisht depërtimin nga ana e Kisela Vodës drejt Qendrës. Aty e rishikuam të gjithë projektin dhe vumë re lëshime serioze nga e kaluara në lidhje me ujërat atmosferike”, tha Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit
Sipas Gjorgjievskit, qyteti i Shkupit ka mbi 20 mijë pusetë për ujërat atmosferike, të cilat pastrohen dhe mirëmbahen rregullisht nga shërbimet kompetente. Ai theksoi se nëse kjo mirëmbajtje nuk do të kryhej në mënyrë të vazhdueshme, pasojat gjatë reshjeve do të ishin shumë më të mëdha.
“Nëse të gjithë këta pusetë për ujërat atmosferike nuk do të ishin trajtuar siç duhet gjatë muajve të fundit, kjo nuk është një punë ku mund të ndërhyhet vetëm brenda një dite, dje do të kishim dëme edhe më të mëdha siç kanë ndodhur në të kaluarën. Pranë nesh ndodhet nënkalimi te Mavrovësja. Në të kaluarën, ai ndonjëherë mbetej jashtë funksionit edhe për disa ditë, ndërsa dje u rikthye në funksion për vetëm 20 minuta”, theksoi Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit.
Gjoirgjievski u bëri thirrje banorëve të Shkupit për kujdes të shtuar gjatë reshjeve të dendura, sidomos në zonat ku janë identifikuar pikat kritike./Alsat.mk.








