Pas përmbytjeve të djeshme, stabilizohet gjendja në Onkologji

Gazetare: Ajnur Bafqari

“Pas përmbytjeve të djeshme të Klinikës Onkologjike, këtu në Qendrën Klinike “Nënë Terezë” në Shkup, situata sot është stabilizuar. Hapësirat të cilat ishin të përmbytura janë pastruar dhe janë vënë në funksion të gjitha aparatet që dje ishin jashtë funksionit”- raporton gazetarja, Ajnur Bafqari nga terreni.

Nga klinika thonë se situata është nën kontroll të plotë, duke mbajtur llogari për  sigurinë e të gjithë pacientëve dhe personelit mjekësor. Dy pacientet që dje po pranonin terapi me jod radioaktiv në kohën kur ndodhën vërshimet, sipas infermieres kryesore të Onkologjisë, Andrijana Filipovska, janë transferuar në hapësira të tjera duke respektuar të gjitha rregullat dhe protokollet. Autoritetet nuk kanë konstatuar rrezik.

Këtu ishin të vendosur pacientët që pranonin terapi me jod radioaktiv. Pas ndodhive, pacientët në kohë u transferuan në hapësirë tjetër…. Të gjitha protokollet janë zbatuar në kohë, është bërë dezinfektimi dhe nuk ka rrezik nga asnjë lloj kontaminimi. Siguria e pacientëve dhe personelit ishte në nivelin më të lartë”, theksoi infermierja kryesore në Klinikën e Onkologjisë, Andrijana Filipovska.

E vetmja hapësirë e pa pastruar dhe e mbyllur mbetet pikërisht kjo dhomë, për shkak të rrezikut për rrezatim eventual. Filipovska, tha se ajo do të mbetet e mbyllur derisa të marrin konfirmim nga autoritetet kompetente.

“Hapësira do të jetë e mbyllur derisa nuk vijnë nga instituti t’i kryejnë matjet dhe të jetë e gatshme për pastrim.
-A keni hapësirë tjetër që t’i ofroni shërbimet që jepen këtu?
– Janë transferuar në dhoma spitalore ku janë të mbrojtur edhe personeli edhe pacientët, megjithatë nuk ka protokolle të veçanta atje sepse pacientët pranojnë jod dhe nuk duhet të jenë në kontakt me të tjerët, sepse ka rrezatim. Për pacientët po kujdesemi dhe kjo hapësirë do të jetë në përdorim menjëherë sapo të na miratojnë nga mjekësia nukleare.”- nënvizoi Filipovska.

Klinika Onkologjike dje u përfshi nga përmbytjet, ndërsa më të prekura ishin hapësirat e bodrumit. Fillimisht u raportua se ndërpriten trajtimet e pacientëve, por siç njoftoi infermierja kryesore, atyre që iu shtynë trajtimet janë thirrur sërish sot dhe puna zhvillohet pa asnjë pengesë./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button