Nenovski: Në mungesë të Qeverisë, tregtarët manipulojnë me çmimet

Nenovski: Në mungesë të Qeverisë, tregtarët manipulojnë me çmimet

Gazetar: Adnan Qaili

Qytetarët pothuajse çdo ditë befasohen me çmime të reja nëpër markete dhe tregje. Të gjithë heshtin! Se si rriten çmimet e produkteve të ndryshme sqaron profesori universitar Tome Nenovski. Sipas tij rënia e fuqisë punëtore ka bërë që të rriten pagat menjëherë në sektorin privat. Mungesa e lëndëve të para, vonesa e produkteve të përpunuara të cilat e mbajnë të varur tregun tonë nga importi bënë që kostot e shtuara të kompanive të reflektojnë në rritjen e çmimeve tek konsumatori final. Ai tha se edhe tregtarët po manipulojnë me çmimet në mungesë të qeverisë dhe mos zbatimit të ligjeve përkatëse.

“Në Maqedoni janë të pakëndshme pritshmëritë e inflacionit sepse ne akoma nuk jemi liruar nga pritjet se diçka e keqe do të ndodhë. Pritshmëritë e inflacionit janë tmerrësisht të gabueshme ndaj popullsisë. Mbase njerëzit janë në pritje se çfarë do të bëj qeveria e re, çfarë masa do të sjellin dhe thonë se për tu mbrojtur i rrisin sërish çmimet e pastaj nëse na detyrojnë ti ulim do të stabilizohemi. Ne presim që të formohet struktura re e ekzekutivit këto ditë, pritet të sjell masa adekuate që pritet të stabilizojnë çmimet dhe uljen graduale të tyre që deri në fund të vitit të arrijmë në kuotën mesatare të inflacionit 2% – 2,5%”, deklaroi Tome Nenovski, Ekspert ekonomik.

Inflacioni në maj është rritur me 4.5% në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa, çmimet me pakicë në të njëjtën periudhë janë rritur me 5.8%. Krahasuar me muajin prill, inflacioni në muajin maj është më i lartë për 0,9% dhe çmimet me pakicë janë rritur me 1,3% njoftoi Enti shtetëror i statistikave.

“Në periudhën krahasuese të majit të këtij viti dhe majit të vitit të kaluar, rritja më e lartë e çmimeve është shënuar te shërbimet dhe te produktet bujqësore. Nga ana tjetër, produktet ushqimore u rritën me 5,3% dhe ato industriale me 4,7%. Rritja e inflacionit në maj krahasuar me muajin prill është rezultat i rritjes së kostos së jetesës në sektorët restorante, hotele, kulturë, rekreacion”, njoftojnë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Ekspertët thonë se çmimet duhet të zvogëlohen duke pasur parasysh edhe uljen drastike të lëndëve të para në bursat botërore por edhe uljen e çmimeve të energjensëve dhe karburanteve. Madje, që nga mesnata edhe në tregun vendor nafta do të shitet më lirë për 1,5 denarë për litër. Sipas Komisionit Rregullator për Energjetikë rënia e çmimeve me pakicë të derivateve të naftës është mesatarisht 1.17%. KRRE tha se çmimet e derivateve të naftës në tregun botëror në krahasim me llogaritjen e mëparshme tregojnë një rënie mesatare: për benzinën me 0,37%, për naftën me 3,69%, për vajin ekstra të lehtë me 4,09% dhe për mazutin rënia është me 2.3%. Këto ulje pritet të ndikojnë edhe në çmimet tjera. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button